Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për paraburgimin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Në kërkesën për paraburgim, thuhet se Krasniqi mund të ndikojë te një numër i madh i dëshmitarëve që do të dëgjohen.
Krasniqi po akuzohet ndër të tjera për dy kontrata të dëmshme. Një me “Litwin SA”, me çmim rreth 3.5 milionë euro, për kaldaja në bllokun A5, ndërsa si dhe një për konsulencë ligjore me vlerë prej 60 mijë euro.
Për kontratën e parë thuhet se ishin ndryshuar kushtet e kontratës dhe ishte “urdhëruar shefi i prokurimit Ymer Dragusha të nënshkruante kontratën” anipse kishte pasur paraprakisht rekomandim nga komisioni vlerësuar i tenderit anulimin e aktivitetit të prokurimit me arsyetim se operatori “Litwin Sa” nuk po i përmbahej kushtet.
“Duke mos u ekzekutuar kontrata Korporatës i ka shkaktuar dëme dhe pasoja të drejtpërdrejta e të pariparueshme financiare në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në akuzën.
Krasniqi akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, për “keqpërdorim të autoritetit e pozitës zyrtare” si dhe për “konflikt interesi”.