Kryeministri Edi Rama nga Prishtina ka bërë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK, në Hagë. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se pretenca e Prokuroria nuk qëndron në asnjë rast, ndërsa theksoi se për çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës, atëherë me qëndrimin e dhënë do të duhet të ketë edhe arrestime të tjera.
Ai bëri krahasime me të dënuarit për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare, duke përmendur figura si Radovan Karagjiq dhe Ratko Mladiq, Stanislav Galiq, Milan Lukiq të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.
“Sot të dënuar nga ajo gjykatë janë Radovan Karagjiq që u dënua me burg të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimi, Ratko Mlladiq po ashtu me burg të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes… Tani sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë, në anën tjetër të barrikadës”, u shpreh ai.
Rama theksoi se, sipas tij, aktiviteti i krerëve të UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me terror ndaj popullsisë civile apo me spastrime etnike.
“Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre e as i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile, spastrimin etnik, varret masive të njerëzve të pafajshëm apo me përdhunime e vrasje. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se, nëse kërkesa e prokurorisë do të konsiderohej e drejtë, atëherë përgjegjësia do të duhej të shtrihej edhe më gjerë, duke përmendur udhëheqësit perëndimorë që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
“Në qoftë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministrat e tjerë të vendeve që i dhanë dritën jeshile bombardimeve të NATO-s”, deklaroi Rama.

