Basketbolli rikthehet me emocionet e javës së 21-të në elitën e Kosovës, ku tifozët do të kenë mundësi të ndjekin disa përballje mjaft interesante.
Vëmendja kryesore do të jetë te derbi i madh që zhvillohet në kryeqytet mes rivalëve tradicionalë, Sigal Prishtina dhe Trepça.
Dy skuadrat janë në kahe të kundërta këtë edicion: prishtinasit renditen në pozitën e gjashtë me 8 fitore dhe 12 humbje, ndërsa “Xehetarët”, të motivuar pas triumfit në Kupë, kryesojnë tabelën me 17 fitore dhe vetëm 3 humbje, duke regjistruar edhe 11 fitore radhazi në kampionat.
Një tjetër duel me peshë është ai mes GO+ Peja dhe Vëllaznimi. Pejanët kanë bilanc të barabartë me 10 fitore e 10 humbje, ndërsa kuqezinjtë kërkojnë pikë të reja për t’u shkëputur nga fundi, me 7 fitore dhe 13 humbje.
Në Rahovec, Rahoveci 029 pret Golden Eagle Ylli, në një ndeshje ku fitorja është jetike për të dyja skuadrat. Vendasit kanë 6 fitore e 14 humbje, ndërsa therandasit numërojnë 8 fitore dhe 12 humbje.
Java mbyllet të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku Bora përballet me Bashkimi. Bora ka bilanc 10–10, ndërsa portokallezinjtë vazhdojnë garën për kreun me 14 fitore dhe 6 humbje.
Superliga e Kosovës në Basketboll – Java 21
E premte
19:30 – GO+ Peja vs Vëllaznimi
19:30 – Rahoveci 029 vs Golden Eagle Ylli
E shtunë
17:30 – Bora vs Bashkimi
20:30 – Sigal Prishtina vs Trepça

