Sportistët paraolimpikë të Ukrainës nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Paraolimpike Dimërore, në shenjë proteste kundër vendimit të Komitetit Paraolimpik Ndërkombëtar për të lejuar rusët të garojnë me flamurin dhe himnin e tyre kombëtar.
Ky qëndrim është bërë i ditur nga Komitetit Paraolimpik i Ukrainës. “Skuadra paraolimpike ukrainase dhe Komiteti Paraolimpik i Ukrainës do ta bojkotojnë ceremoninë e hapjes të Lojërave Paraolimpike Dimërore. Do të kërkojmë që flamuri ukrainas të mos shfaqet gjatë ceremonisë së hapjes”, shkruhet në komunikatën e këtij komiteti.
Pas vendimit për të lejuar sportistët rusë dhe bjellorusë të marrin pjesë në Lojërat Paraolimpike me flamurin dhe himnin e tyre ka reaguar edhe Vladyslav Heraskevych. Sportisti ukrainas i skeleton u përjashtua nga CIO, pasi mbante një kaskë speciale me imazhet e 24 bashkëkombasve sportistë të vrarë në luftë, pas pushtimit rus.
“Më ka humbur shpresa, sikur të mos kishte drejtësi. Kështu papritur ndryshojnë rregullat dhe tani rusët mund të garojnë me flamurin e tyre kombëtar. Është një skandal”, ka thënë Heraskevych

