Diplomati kosovar Lulzim Peci ka reaguar ndaj diskutimeve publike për identitetin shtetëror të Kosovës, duke theksuar se vendi është i ndërtuar mbi parime laike dhe evropiane dhe jo mbi baza fetare.
Në një qëndrim publik, Peci vlerëson se përpjekjet për ta paraqitur Kosovën si një shtet teokratik apo si shtet me karakter fetar janë të pasakta dhe nuk përputhen me realitetin kushtetues të vendit.
Sipas tij, Kosova është një shtet laik, ku ndarja mes fesë dhe shtetit është e garantuar me ligj dhe me Kushtetuten e Kosovës. Ai thekson se liria personale dhe fetare është e mbrojtur për çdo qytetar, përfshirë edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve.
Peci kritikon edhe tendencat për të politizuar çështje që, sipas tij, i përkasin sferës private të individit. Ai thekson se praktika personale, siç është konsumimi apo moskonsumimi i ujit gjatë periudhave të caktuara fetare, mbetet një zgjedhje individuale dhe nuk duhet të shndërrohet në debat publik apo politik.
“Se a konsumon dikush ujë apo jo, duke përfshirë edhe kreun e shtetit, është çështje plotësisht private dhe e garantuar nga ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës”, thekson ai.
Sipas Pecit, debati publik në Kosovë duhet të fokusohet më shumë në forcimin e institucioneve demokratike dhe orientimin evropian të vendit, ndërsa çështjet e besimit fetar duhet të respektohen si të drejta personale dhe jo të përdoren për narracione politike apo ideologjike.

