Futbollisti i Newcastle United, Anthony Gordon, ka reaguar ndaj kritikave që mori ditëve të fundit, pasi shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Chelsea në “Stamford Bridge”.
Anësori anglez realizoi në pjesën e parë të ndeshjes, duke i siguruar skuadrës së tij tre pikë të rëndësishme.
Pas përfundimit të takimit, ai foli edhe për komentet kritike të bëra nga ish-futbollistët Alan Shearer dhe Wayne Rooney.
Dyshja e kishte kritikuar Gordonin për faktin se nuk startoi në ndeshjen ndaj Barcelonës javën e kaluar për shkak të një sëmundjeje, pavarësisht se ai ishte parë duke u stërvitur në mëngjesin e ditës së ndeshjes.
Gordon i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur të pavërteta.
“Zakonisht nuk më pëlqen të sqaroj gjëra sepse nuk më intereson shumë, por këtë herë duhet të sqarohet sepse ishte thjesht marrëzi,” tha ai.
Sipas tij, vendimi që të mos luante ishte marrë nga trajneri dhe jo nga vetë lojtari.
“Kur arrita në stadium, trajneri më tha se nuk do të luaja. Nuk më pëlqeu shumë, por është vendimi i tij dhe skuadra luajti mirë. Të thuash se nuk doja të luaja në ndeshjen më të madhe të karrierës sime është absolutisht e pavërtetë,” theksoi Gordon.
Ai gjithashtu kundërshtoi pretendimin e Rooneyt se kishte kaluar pranë tyre pa i përshëndetur dhe ishte futur direkt në zhveshtore.
“Nuk është e vërtetë. U ndërrova vetëm në një dhomë zhveshjeje shumë të vogël, isha vetëm unë dhe një lavaman. Është krejtësisht e pavërtetë. Mendoj se duhet të bëjnë më mirë punën që po bëjnë,” përfundoi sulmuesi i Newcastle

