Tetë vite pas përplasjes së bujshme mes Mesut Ozil dhe Federatës së Futbollit të Gjermanisë, duket se tensionet mes palëve nuk janë shuar ende.
Në dokumentarin e transmetuar nga ZDF, “Mesut Ozil – zu Gast bei Freunden”, kushtuar ish-fantazistit të përfaqësueses gjermane, i cili sot jeton në Turqi, rikthehen në vëmendje momentet e ndarjes së tij me kombëtaren gjermane.
Ozil ishte pjesë e ekipit që arriti kulmin e suksesit me triumfin në Kupën e Botës Brazil 2014.
Në dokumentar spikat edhe deklarata e ish-trajnerit të Gjermanisë, Joachim Low, i cili pranon se nuk e ka lexuar kurrë letrën e gjatë të lamtumirës së mesfushorit.
“Unë nuk e kam lexuar kurrë letrën e tij të lamtumirës dhe arsyet që kishte shkruar. Së pari, ishte shumë e gjatë për mua dhe së dyti, në atë kohë isha i zhgënjyer. Ai duhej të më kishte komunikuar personalisht vendimin përpara se ta bënte publik”, u shpreh Low.
Nga ana tjetër, ish-menaxheri i ekipit kombëtar gjerman, Oliver Bierhoff, e interpreton letrën e Ozil si pjesë të një vendimi personal të lojtarit për të nisur një kapitull të ri në jetën e tij, duke ndërprerë në mënyrë të ashpër lidhjet me Gjermaninë.
Debati rreth largimit të Mesut Ozil nga kombëtarja gjermane mbetet ende një temë e diskutuar në futbollin gjerman, edhe pas kaq vitesh nga ajo ndarje e bujshme

