Nga: Daut DAUTI
Autobiografia e Sevasti Qiriazit e titulluar “Jeta ime” është ndër veprat më të mira të historisë shqiptare të periudhës së Rilindjes. Libri fillimisht është shkruar në anglisht kurse në shqip është botuar në vitin 2016. Ky është një libër që duhet ta lexojnë të gjithë dhe të përfshihet si tekst i obligueshëm shkollor.
Jeta e Sevastisë, një gruaje të jashtëzakonshme, është tregim i historisë shqiptare. Është tregim i vullnetit, patriotizmit dhe vështirësive të mëdha që ka patur rruga e krijimit të kombit nëpërmes gjuhës, gjegjësisht arsimit. Në realitet, kombet nuk janë krijuar pa sakrifica. Por, këtu kemi të bëjmë me punën dhe sakrificën e një gruaje e cila ka qenë më e madhe se ajo e burrave. Fjalia e parë që përmban ky libër biografik, e shpjegon karakterin e autores e cila në pozitën e heroinës u ngjit duke qenë studentja dhe mësuesja e parë e gjuhës dhe shkollës shqipe. Këto fjalë i ka zgjedhur Sevastia për fillim të librit biografik të saj:
“Unë jam shqiptare. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se edhe familja, pasi të qenët e ndërgjegjshme për të më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj duke i dhënë kështu qëllim jetës sime”.
Kjo forme e të shkruarit njihet si: të thuash shumë me pak fjalë. Në parathënie të librit Sevastia e tregon qëllimin e saj të jetës si mësuese. Qëllimi është përgatitja e popullit shqiptar për vetafirmim kombëtar, promovim të ndjenjave të vëllazërisë mes myslimanëve dhe të krishterëve dhe inkurajimi për punë të përbashkët për liri e pavarësi. Shkolla duhet të ketë një qëllim.
Si çdo biografi, edhe kjo fillon nga fëmijëria. Por, pjesa më interesante është koha e studimeve të saja në Stamboll. Sevastia ka një rrëfim interesant që lidhet me interesimin për patriotët që e ka titulluar “Aventura e parë” në kapitullin pestë. Sevastia shkruan se si kishte marrë vesh për Koto Hoxhin, një patriot shqiptar që gjendej në burg në Stamboll. Ajo hulumton se në cilin burg gjendet Koto. Pasi e gjen burgun, zbulon se drejtori, Qamil Efendiu, është shqiptar. Pastaj, e gjen adresën e shtëpisë së drejtorit dhe i shkon në shtëpi, kinse rastësisht, sikur shqiptarët që shkojnë te njëri-tjetri në kurbet. Shoqërohet me gruan e drejtorit, e cila krijon respekt të madh për Sevastinë, sikur edhe Qamil Efendiu më vonë. Por, një ditë Sevastia bën një veprim të paimagjinueshëm. Shkon në burg në zyrën e Qamil Efendiut e veshur ‘tebdil’ me rroba të burrave. Megjithatë, Qamil Efendiu e njeh dhe kërkon që ajo ta sqaronte këtë. Sevastia e shpalos qëllimin e saj dhe kërkon që ta vizitojë Koton e cila gjë i lejohet përkundër ndalesës. Por, këtu e kemi situatën që tregon se shqiptari nuk mund ta refuzojë shqiptarin edhe në momente të rrezikshme. Pason vizita dhe përshkruhet biseda me karakter patriotik.
Sevastia nuk ka pasur mundësi pa e përshkruar edhe një situatë tjetër të rëndësishme të jetës së saj në Stamboll. Është dita e ceremonisë së përfundimit të studimeve në shkollën e famshme, “Robert College”. Dhe, kush i ka shkuar Sevastisë në këtë ditë të rëndësishme? Vëllezërit Frashëri. Që të tre. Ky është momenti i saj më i rëndësishmi në jetë. Tre inspiruesit më të rëndësishmit që ka patur ajo ndonjëherë. Ky është momenti më i bukur i librit. Naim bej Frashëri, komisioner perandorak i arsimit, e siguron lejen për hapjen e shkollës së parë shqipe për vajza ku do të vepronte Sevastia. Pjesa tjetër është histori, siç thuhet.
Puna e shkollës në Korçë nuk është e lehtë, por entuziazmi dhe dashuria për mësim është i madh. Megjithatë, shkolla përparon, por në vitin 1913 e mbyllin grekët. Peshkopi i kishës greke bënë thirrje publike për vrasjen e shqiptarëve. Madje, ai thirrjen e bënte me anë të këngës që Sevastia e mban në mend si refren tmerri:
Ngrihuni, o ju të pafajët fëmijë të mi!
Ngrihuni e vrisni babanë e birin e tij!
Besë mos tregoni për asnjë të nënshtruar,
Kjo fqinjin tënd grek ka për ta gëzuar.
Por, Sevastia dhe Qiriazët tjerë, nuk dorëzohen dhe shkollën e hapin sërish në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore keqësohet gjendja. Në vitin 1943 gjermanët i internojnë Qiriazët në një kamp të përqendrimit në Batajnicë të Beogradit. Pas një viti, kampi sulmohet nga aviacioni i aleatëve dhe Qiriazët, pas shumë mundimeve dhe peripecive, ia dalin të kthehen në Kamëz. Ajo që ndodhë më Sevastinë, në kohën e ‘lirisë’ dhe regjimit komunist, është një tmerr që sot duhet të na turpëroj të gjithëve. Në vitin 1946, Sevastisë ia burgosin dy djemtë. Ata akuzohen se janë fajtorë për shkak se kanë të kryer universitete amerikane. Në vitin 1949, njëri nga djemtë, Gjergji, thuhet se bën vetëvrasje në burg. Sevastia e kërkon trupin e tij, por kot. Nga dëshpërimi, Sevastia vdes pas gjashtë muajve duke hyrë edhe ajo në listën e “armiqve” të shtetit.
Kufoma e saj u bart në karrocë të tërhequr nga një kalë kurse kotezhi përmbante vetëm ata pak anëtarë të familjes që kishin mbetur. Ky ka qenë fundi i mësueses së parë me përgatitje universitare, gruas që luajti rol kryesor në procesin e formimit të kombit dhe shtetit. Në varrimin e gruas më të rëndësishme që kishte kombi, askush nuk mori pjesë. Kjo ka qenë fytyra e komunizmit shqiptar.
Nesër: Kalvari i Sevasti Qiriazit, kur kërkonte trupin e pajetë të të birit të vrarë në hetuesi,
Përgatitur nga Luljeta Progni