Qendërmbrojtësi i Napolit dhe kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani po vuan me lëndime këtë edicion të garave.
Ai aktualisht po rikuperohet nga lëndimi i tretë vetëm këtë sezon, mirëpo ka lajme të mira për Antonio Conten.
Raportohet nga mediumet italiane se ai do të rikthehet më herët seç ishte paramenduar, me yllin dardan që mund të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Milanit, pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare.
Kështu shkruan “calcionapoli.it”, me lajmin kryesor të dhënë nga “Il Matino”.
“Amir Rrahmani do të mungojë në ‘play-offin’ e Kupës së Botës për kombëtaren e Kosovës. Kosova duhet të luajë pa kapitenin e saj, i cili është rikthyer sot në qendrën stërvitore të Napolit, për të qenë i gatshëm, sa më shpejt që të jetë e mundur. Fillimisht pritej që ai të jetë i gatshëm në fund të prillit. Por, rikuperimi i tij ka shkuar më shpejt seç është parashikuar, dhe ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Parmës – ndeshja pas Milanit. Ekzistojnë shpresa që ai të jetë gati edhe për ndeshjen ndaj Milanit në ‘Maradona’, së paku në stol. Një mundësi që nuk do të përjashtohet tërësisht, por që është vështirë e arritshme, sot për sot”, shkruan mediumi i afërt me Napolin.
Kapiteni i Kosovës do të mungojë për “Dardanët” në ndeshjen e madhe të “play-offit” ndaj Sllovakisë, e cila luhet më 26 mars.
Amir Rrahmani i mungoi Napolit në pesë ndeshjet e fundit, teksa në përgjithësi, ai ka munguar në 20 ndeshje në total këtë edicion.
Fillimisht, ai u lëndua në shtator të vitit 2025, në ndeshjen e Kosovës ndaj Zvicrës në Bazel, dhe si pasojë e atij lëndimi, ai i humbi 11 ndeshje.
Më pas, ai e pati edhe një lëndim tjetër, nga 18 janari i vitit 2026 deri më 2 shkurt, duke i hubmur katër ndeshje – kjo para lëndimit aktual, që e pësoi më 15 shkurt, në ndeshjen ndaj Romës.

