Një kamion u përfshi nga flakët në aksin rrugor Suharekë-Duhël në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se një qytetare ka kërkuar ndihmën e urgjencës pasi shoferi i kamionit dhe një pasagjer ishin shqetësuar.
“Me datën 08.04.2026, rreth orës 12:25, Policia ka pranuar informatën se një kamion është përfshirë nga zjarri në relacionin Suharekë–Duhel (në autostradë). Radiobaza ka njoftuar Stacionin Policor në Suharekë për të dërguar zjarrfikësit, si dhe një patrullë policore në vendin e ngjarjes. Për incidentin është informuar edhe njësiti patrullues i autostradës. Lidhur me rastin, një qytetare ka kërkuar edhe ndihmën e Ekipit të Urgjencës, pasi ngasësi i kamionit dhe një pasagjer, megjithëse nuk kanë pësuar lëndime, janë në gjendje të shqetësuar”, tha zëdhbnësi.
Bytyqi tha se zyrtarët policorë e orientuan ekipin e urgjenës drejt vendngjarjes.
Mediumi lokal, TV Prizreni publikoi disa fotografi nga vendi i ngjarjes, ku shihet se flakët janë shuar nga ekipet e zjarrfikësve.



