Një anije e kompanisë franceze të transportit detar CMA CGM ka marrë goditje paralajmëruese në Ngushticën e Hormuzit, në një incident që rrit ndjeshëm tensionet në një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë globale.
Lajmi u konfirmua nga vetë kompania me seli në Marsejë, e cila theksoi se “ekuipazhi është i sigurt”, ndërsa ngjarja ndodhi të shtunën.
Edhe International Maritime Organization (IMO) konfirmoi incidentin, duke bërë të ditur se anija, një kontejner transportues, ka pësuar dëmtime, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Iranin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, duke deklaruar se forcat iraniane kanë qëlluar ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, përfshirë edhe mjete franceze dhe britanike.
Sipas raportimeve, anijet tregtare janë përballur me kërcënime dhe zjarr nga forcat iraniane teksa përpiqeshin të kalonin në këtë rrugë kyçe, pasi Irani kishte vendosur sërish kufizime në qarkullim pas një periudhe të shkurtër hapjeje.
Autoritetet britanike të sigurisë detare raportuan gjithashtu disa incidente të tjera: një cisternë nafte është qëlluar nga mjete patrulluese të Gardës Revolucionare Iraniane, ndërsa një anije tjetër raportoi shpërthim predhe pranë saj në ujërat pranë Omanit. Në një rast të tretë, një anije kontejnerësh u godit nga një objekt i panjohur, duke pësuar dëmtime në disa kontejnerë.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë nevralgjike për tregtinë globale të energjisë, dhe çdo incident në këtë zonë ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe sigurinë rajonale. /Panorama

