Kosova mund të përballet me një tjetër raund zgjedhjesh të jashtëzakonshme, pasi afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit përfundon të martën e 28 prillit.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, me kreun e saj Albin Kurti, dështuan që të arrijnë marrëveshje me partitë opozitare për këtë çështje.
Për emër tjetër jo e jo, por as për ish-presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, e cila nuk e mori përkrahjen e kryeministrit për një tjetër mandat presidencial.
Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në orët e vona të së enjtes, më 5 mars, LVV propozoi dy kandidatë për president të vendit: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun.
Për rrjedhojë, u shkaktua një zhgënjim te mbështetësit e VV-së dhe u bë e qartë se Kurti nuk e mbështetë Osmanin për t’u rizgjedhur presidente.
Përmes shefes së Grupit Parlamentar, ai kishte thënë se ia kishin ofruar Osmanit nënshkrimet për të kandiduar. Stafi i presidentes e përgënjeshtroi dhe e zbuluan se Kurti i kishte ofruar Osmanit vetëm të jetë pjesë e garës, për kuorum.
Bile, u përmend edhe një ofertë e liderit të Vv-së për presidenten që përfshinte fajësimin e PDK-së e LDK-së nëse vendi shkon në zgjedhje.
Çka ndodhi më pas?
Pikërisht me partinë e Lumir Abdixhikut, Kurti vazhdoi takimet, që nuk prodhonin asnjë rezultat dhe u përmbyllën nga vet kreu i LDK-së, pasi nuk mundën të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe kandidatin konsensual për president të vendit.
VV tha se LDK-së ia ofroi pozitën e zv.kryeministrit dhe katër ministri në mënyrë që kjo parti t’i bashkohet qeverisjes së vendit. Edhe partisë së Bedri Hamzës ia bëri ofertën me rrokadë për pozitën e kryeparlamentarit.
Albin Kurti u refuzua. LDK i tha ‘JO’. Njëjtë veproi edhe PDK.
Ndërsa afati po ngushtohej, partia me shumicën parlamentare pas mbledhjes së kryesisë, të premten doli me qëndrim publik duke i ofruar partive opozitare që të propozojnë tre emra për kandidatë për të parin e vendit.
Këtu u ‘rikthye’ emri i Vjosa Osmanit.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ishte i qartë, jo për tre emra, por vetëm një dhe e sfidoi Kurtin për votat.
“Në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër.” – tha ai.
Tani mbetet të shihet nëse Kurti do ta ‘tradhtojë’ Osmanin edhe pas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Moszgjedhja e presidentit do ta dërgonte vendin në zgjedhje të parakohshme të tretat brenda dy viteve.

