Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i tërheqin “shumë më tepër se 5,000” trupa nga Gjermania, tha presidenti amerikan Donald Trump.
Fox News publikoi një video nga një deklarim i Trump për reporterët, ndërsa njëri nga ta e pyeti presidentin: “Pse SHBA-ja po i tërheq trupat nga Gjermania?”
Përgjigjja e Trump ishte kjo: “Ne do ta zvogëlojmë shumë numrin, dhe po e zvogëlojmë shumë më tepër se 5,000”.
Deklarata e tij pason raportimet e djeshme se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm.
Vendimi i Pentagonit erdhi pasi Trump njoftoi se tarifat për veturat dhe kamionët nga Bashkimi Europian do të rriten në 25 për qind javën e ardhshme, duke e akuzuar bllokun europian se nuk po respekton një marrëveshje tregtare të nënshkruar verën e kaluar.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se tërheqja e trupave amerikane ishte “diçka që pritej”, duke shtuar se “ne, europianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, përmes një deklarate për AFP-në.
NATO-ja tha të shtunën se po “punon” me SHBA-në për të kuptuar këtë vendim të Wanshuntonit.

