Sarajeva përkujton fëmijët e vrarë gjatë rrethimit 1992-1995

by Nexhat

Në Kantonin e Sarajevës, 5 maji është ditë zie në kujtim të fëmijëve të vrarë të Sarajevës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në vitet ’90.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.601 fëmijë u vranë gjatë katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës (1992-1995).

banner

Sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore, së paku 53 prej tyre janë vrarë nga snajperët, ndërsa më shumë se 14 mijë janë plagosur.

Për krimet ndaj fëmijëve të kryera gjatë rrethimit, deri më tani nuk është mbajtur askush përgjegjës.

Qeveria e Kantonit të Sarajevës, në vitin 2019, ka marrë vendim që 5 maji të shënohet si Dita e Kujtimit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës.

Muzeu Historik i Bosnje dhe Hercegovinës, që nga shkurti i vitit 2020, po mbledh sende personale të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, të cilat janë ekspozuar në kuadër të instalacionit memorial “Dhoma e Bardhë”.

Rrethimi i Sarajevës

Terrori ndaj qytetarëve të Sarajevës zgjati 1.425 ditë.

Sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë, sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës.

Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë ka dënuar me burgim të përjetshëm Stanisllav Galliqin, ndërsa Dragomir Millosheviq është dënuar me 29 vjet burg.

Të dy ata kanë qenë komandantë të Korpusit Sarajevë-Romanija, i cili e ka mbajtur qytetin nën rrethim për 44 muaj.

Disa pjesë të dënimeve të përjetshme të Radovan Karaxhiqit, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, lidhen po ashtu me terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës.

Në nivel vendor, për krimet në pjesët e rrethuara të qytetit janë ndjekur deri tani 12 persona.

Para Tribunalit të Hagës është akuzuar edhe ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, por ai ka vdekur gjatë procesit, në mars të vitit 2006, dhe gjykimi është ndërprerë.

Bilana Pllavshiq, ish-presidente e Republikës Sërpska, ka pranuar fajësinë për pjesëmarrje në krimet në Sarajevë dhe është dënuar me 11 vjet burg nga Gjykata e Hagës./REL/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy