Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha të enjten se ishte takuar personalisht me Mojtaba Khamenein dhe kishte folur me të për dy orë e gjysmë, në konfirmimin e parë publik se ajatollahu i ri i Republikës Islamike është parë nga një zyrtar i lartë që nga emërimi i tij më shumë se dy muaj më parë.
Pezeshkian, duke folur në një takim me sindikatat dhe përfaqësuesit e tregut, nuk dha detaje se kur ose ku u zhvillua takimi, çfarë u diskutua ose kush tjetër ishte i pranishëm.
“Ajo që më bëri përshtypje më shumë se çdo gjë tjetër në këtë takim ishte mënyra, perspektiva dhe sjellja thellësisht e sinqertë dhe modeste, një qasje që e transformoi atmosferën në një atmosferë të bazuar në besim, qetësi, empati dhe dialog të drejtpërdrejtë”, tha Pezeshkian.
Mojtaba Khamenei u emërua nga Asambleja e Ekspertëve pas vdekjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet ajrore amerikane dhe izraelite në breshërinë e parë të luftës më 28 shkurt.
Në dy muajt që nga emërimi i tij, udhëheqësi i ri nuk është shfaqur publikisht dhe nuk ka publikuar asnjë material video ose audio, duke nxitur spekulime të vazhdueshme rreth gjendjes së tij fizike. Megjithatë, deklaratat që thuhet se janë shkruar prej tij janë lexuar në televizionin shtetëror.
Gazeta New York Times, duke cituar katër zyrtarë iranianë, raportoi më parë se Mojtaba Khamenei pësoi lëndime serioze në sulme, i është nënshtruar disa operacioneve në këmbë dhe krahë dhe ka vështirësi në të folur për shkak të djegieve të rënda në fytyrë dhe buzë.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha se ai ishte plagosur dhe me shumë gjasa ishte “shpërfytyruar”. Teherani nuk i ka konfirmuar këto raportime.
Spekulimet u amplifikuan javët e fundit nga një mural i zbuluar në një qytet iranian që përshkruan Mojtaba Khamenei-n së bashku me figura të përshkruara si martirë të Republikës Islamike, përfshirë babanë e tij dhe ish-komandantin e Forcës Quds të IRGC-së, Qassem Soleimani – të cilët janë të gjithë të vdekur.
Agjencia e Lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me IRGC-në, iu referua veçmas Mojtaba Khameneit në një postim si “udhëheqësi martir i revolucionit” përpara se ta përshkruante referencën si një gabim.

