Granit Xhaka është zgjedhur “Lojtari i vitit” te skuadra e Sunderland.
Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare ishte lojtar kyç në mesfushën e skuadrës angleze që garoi këtë vit në Premierligë pas promovimit në sezonin e kaluar nga Championship,
Xhaka ka kontribuar në këtë sezon me 1 gol dhe 6 asistime me Sunderland që ka kaluar pritshmëritë duke arkëtuar 47 pikë në 35 ndeshje deri tani dhe duke u renditur në pozitën e 12-të.
Pas marrjes së çmimit Xhaka në Instagram u shpreh i lumtur duke thënë se ndihet krenar që i besoi projektit të klubit, pavarësisht se shumë kishin dyshuar në zgjedhjen e tij për t’u transferuar në Sunderland nga ish-kampioni i Gjermanisë, Bayer Leverkusen.
“Njerëzit e vunë në dyshim transferimin. Unë i besoja vizionit. Sot, duke qëndruar këtu si Lojtari i Vitit, nuk ndiej gjë tjetër veçse krenari, mirënjohje dhe uri për më shumë. Faleminderit tifozëve që më përqafuat që nga dita e parë, për pasionin tuaj, besimin tuaj dhe mbështetjen tuaj të pakushtëzuar në çdo betejë. Ky klub do të thotë gjithçka”.

