Kylian Mbappe ka reaguar me tone të forta pasi mungoi në përballjen e madhe ndaj Barcelonës, duke insistuar se ishte plotësisht i gatshëm për të luajtur në El Clásico.
Sulmuesi francez pranoi se mungesa në ndeshjen më të madhe të futbollit spanjoll ishte një zhgënjim i madh për të.
“Ishte turp për mua që nuk luajta kundër Barçës. Unë isha gati… Unë gjithmonë shënoj kundër tyre!”, deklaroi Mbappé.
Ylli i Real Madridit shtoi se i pëlqen jashtëzakonisht shumë të luajë në El Clásico, por theksoi se vendimet e trajnerit duhet të respektohen.
“E dua të luaj El Clásicon, por duhet të respektojmë vendimet e trajnerit. Isha gati, 100 për qind gati. Unë gjithmonë dua të luaj dhe ta ndihmoj ekipin”, u shpreh ai.
Mbappé reagoi edhe ndaj kritikave që sugjerojnë se ai nuk dëshiron të aktivizohet në disa ndeshje.
“Ajo që më dhemb është kur njerëzit mendojnë se nuk dua të luaj. Nuk është e vërtetë. Në fillim thoshin se po luaja shumë dhe se duhej të pushoja… tani thonë se nuk dua të luaj. Nuk ka asnjë kuptim!”, deklaroi francezi.
Ai rikujtoi edhe eliminimin e skuadrës nga Copa del Rey ndaj një skuadre nga kategoritë më të ulëta, duke nënvizuar se gjithmonë dëshiron të jetë në fushë.
“Më kujtohet kur njerëzit thoshin se duhej të pushoja në Kupën e Mbretit sepse po luaja shumë, dhe pastaj ne u eliminuam nga një ekip i kategorive të ulëta. Unë gjithmonë dua të luaj”, përfundoi Mbappé.

