Aston Villa siguroi një fitore të madhe 2-1 ndaj Manchester Cityt në javën e fundit të Premierligës, dhe rezultati pati ndikim të drejtpërdrejtë në garat europiane për disa klube.
Skuadra e Unai Emeryt vinte pas triumfit 3-0 në finalen e Ligës së Evropës ndaj Freiburgut, dhe kishte siguruar tashmë kualifikimin për Ligën e Kampionëve falë fitimit të trofeut europian.
Për këtë arsye, Emery bëri disa ndryshime në formacion, duke aktivizuar lojtarë si Marco Bizot, Tyrone Mings, Ross Barkley dhe Douglas Luiz.
Megjithatë, heroi i ndeshjes ishte Ollie Watkins, i cili shënoi dy gola dhe i dha Aston Villas fitoren në ndeshjen e fundit të Pep Guardiolas si trajner i Manchester Cityt.
Antoine Semenyo kishte kaluar Cityn në avantazh në pjesën e parë, por Watkins përmbysi gjithçka në pjesën e dytë dhe e çoi numrin e golave sezonale në 21.
Me këtë sukses, Aston Villa përfundoi në vendin e katërt, përpara Liverpoolit.
Sipas rregullave të UEFA-s, Villa përdor vendin e fituar nga kampionati për Champions, jo atë si fituese e Ligës së Evropës.
Kjo bëri që vendi rezervë i kampionit të Ligës së Evropës t’i kalojë klubit me koeficientin më të lartë të UEFA-s që nuk ishte kualifikuar direkt.
Skuadra që përfitoi ishte Sporting CP, kampione e Portugalisë, e cila shmangu fazat kualifikuese dhe siguroi hyrjen direkte në fazën e grupeve të Championsit.
Fitorja e Villas ndikoi edhe te Bournemouthi.
Nëse Villa do të përfundonte e pesta, Bournemouthi do të siguronte Championsin falë vendit shtesë europian që fitoi Anglia nga performancat në garat UEFA.
Por me Liverpoolin që përfundoi në vendin e pestë, “The Reds” morën atë vend shtesë për Championsin, ndërsa Bournemouthi u desh të kënaqej me Ligën e Evropës.
Klubi do të hyjë në sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit të ri Marco Rose, pas largimit të Andoni Iraolas.

