Real Madridi mund të përballet me një kosto shumë më të lartë për rikthimin e Jose Mourinhos në “Santiago Bernabeu”, pasi ka skaduar klauzola e veçantë në kontratën e trajnerit portugez me Benficën.
Sipas raportimeve nga Spanja dhe Anglia, klubi madrilen e kishte mundësinë ta siguronte Mourinhon për rreth 6-7 milionë euro gjatë një periudhe të kufizuar pas përfundimit të sezonit në futbollin portugez,
Megjithatë, vonesat e lidhura me procesin zgjedhor presidencial në Real Madrid bënë që ky afat të kalonte pa u finalizuar marrëveshja.
Tani Benfica mund t’i kërkojë deri në 15 milionë euro dëmshpërblim për lirimin e trajnerit 63-vjeçar, çka e bën operacionin dukshëm më të kushtueshëm për “Los Blancos”.
Pavarësisht rritjes së kostos, marrëveshja mes Real Madridit dhe Mourinhos raportohet se është arritur prej javësh.
Trajneri portugez thuhet se e ka pranuar një kontratë afatgjate dhe mbetet kandidati i preferuar i presidentit Florentino Perez për ta udhëhequr skuadrën në një cikël të ri.
Planet e Real Madridit u komplikuan pas hyrjes së Enrique Riquelmes në garën presidenciale, duke bërë që disa vendime strategjike të shtyheshin deri pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt në afatet që lidhen me largimin e Mourinhos nga Benfica.
Megjithatë, mediat pranë klubit madrilen raportojnë se rritja e kostos nuk pritet ta ndryshojë vendimin e drejtuesve.
Real Madridi mbetet i vendosur ta rikthejë Mourinhon për një mandat të dytë, me synimin për ta rikthyer skuadrën në majat e futbollit spanjoll dhe evropian pas dy sezoneve pa trofe madhor.
Mourinho e drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri në vitin 2013, duke e fituar një titull të La Ligës, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës, ndërsa konsiderohet si trajneri që i hodhi themelet e një prej periudhave më të suksesshme në historinë moderne të klubit.

