Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, vlerësoi në një intervistë se reputacioni i Kosovës në Uashington është dëmtuar seriozisht gjatë 16 muajve të fundit për shkak të paqëndrueshmërisë politike, zgjedhjeve të përsëritura dhe bllokadës institucionale.
Ai theksoi edhe se SHBA-ja pret nga qeveria e re që, ndër të tjera, të marrë rol në uljen e tensioneve – si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.
ÇfarëpresinSHBA-të nga qeveria e ardhshme e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit, veçanërisht në aspektin e stabilitetit politik, qeverisjes dhe dialogut me Serbinë?
Përshtypja ime është se SHBA-të kanë qenë të qëndrueshme dhe të qarta në këtë çështje.
Ato dëshirojnë një qeveri në Prishtinë që të jetë partnere e besueshme, një qeveri që do të merret me çështjet prioritare si forcimi i institucioneve demokratike, lufta kundër korrupsionit, zbatimi i reformave të qeverisjes që janë shtyrë për shumë kohë, si dhe marrja e një roli në uljen e tensioneve si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.
Mendoj se Uashingtoni do të vëzhgojë me shumë kujdes nëse qeveria e re do të arrijë të zgjedhë presidentin, të formojë një koalicion të qëndrueshëm dhe të kryejë funksionet themelore të qeverisjes, me të cilat Kosova është përballur gjatë disa cikleve zgjedhore në 16 muajt e fundit.
A ka pasur gjatë fushatës mesazhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit ose zyrtarë të tjerë amerikanë që mund të interpretohen si mbështetje për ndonjë opsion politik?
Duhet të theksoj sërish se, pasi nuk jam më pjesë e administratës amerikane, mund të flas vetëm për atë që shoh nga jashtë dhe jo për diskutimet e tyre të brendshme.
Megjithatë, vlerësimi dhe përshtypja ime janë se SHBA-të kanë ruajtur neutralitetin zgjedhor.
Uashingtoni nuk mbështet parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës.
Ajo që kanë bërë SHBA-të është të dërgojnë sinjale shumë të qarta politike për atë që presin nga çdo qeveri e ardhshme.
Këto pritshmëri lidhen me qeverisjen efektive, uljen e tensioneve brenda Kosovës, veçanërisht në veri, por edhe në nivel rajonal.
Mendoj se çdo politikan kosovar duhet të jetë në gjendje t’i lexojë këto sinjale.
Pezullimi i Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës vjeshtën e kaluar, gjatë qeverisë teknike të Albin Kurti, sipas mendimit tim ishte një mesazh i rëndësishëm.
Kjo nuk ishte mbështetje për ndonjë parti opozitare, por një mesazh i qartë se gjendja ekzistuese ishte e papranueshme për Uashingtonin dhe mendoj se ky është një faktor i rëndësishëm para këtyre zgjedhjeve.
Kosova po shkon në zgjedhje të tjera pas një bllokade institucionale disa mujore. Si ka ndikuar kjo krizë në pozitën e Kosovës në Uashington?
Mendoj se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit.
E them këtë si dikush që ka investuar me vite në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe për të cilin kjo marrëdhënie ka rëndësi të madhe.
Megjithatë, zgjedhjet e përsëritura, dështimi për të zgjedhur presidentin dhe mbështetja në qeveri teknike kanë dëmtuar besimin në aftësinë e Prishtinës për të përmbushur disa nga obligimet e saj.
Uashingtoni bashkëpunon më mirë me partnerë që janë të parashikueshëm dhe të aftë të realizojnë atë që premtojnë.
Këtu ekziston edhe një kosto financiare.
Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian dhe nga burime të tjera financimi nëse reformat kyçe nuk miratohen, ndërsa kjo paralizë legjislative është pasojë e drejtpërdrejtë e bllokadës institucionale.
Prandaj, për rikthimin e besimit do të nevojitet shumë më tepër se fjalë.
Qeveria e re duhet të tregojë seriozitet.
Ajo duhet të dëshmojë se mund të zgjedhë presidentin dhe të formojë një koalicion të qëndrueshëm e të parashikueshëm, të miratojë buxhetin dhe të ndërmarrë hapa të hershëm e të dukshëm drejt uljes së tensioneve, si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon, si dhe të zbatojë reforma në fushën e sundimit të ligjit.
Megjithatë, mendoj se ka edhe lajme të mira. Më duket se gatishmëria e Uashingtonit për t’u riangazhuar është reale.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar publikisht se shpresojnë në ripërtëritjen e angazhimit pas këtyre zgjedhjeve dhe presin një marrëdhënie ndryshe dhe më pozitive.
Kjo është diçka që duhet përshëndetur.
Megjithatë, do të paralajmëroja se kjo mundësi nuk do të mbetet e hapur pafundësisht.
Qeveria e re do të duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të konsoliduar kapacitetet e saj dhe për të rindërtuar besimin mes Kosovës dhe partnerëve të saj, përfshirë SHBA-në.
Do të shtoja gjithashtu se gjithçka që kam thënë për marrëdhëniet me SHBA-në duket se vlen edhe për Bashkimin Evropian.
Edhe në këtë rast, qeveria e re do të duhet të ndërmarrë hapa për të rikthyer besimin.
Pra, ekziston një rrezik real, por shpresa ime është që Kosova të arrijë të formojë një koalicion të qëndrueshëm.
Kjo nënkupton edhe zgjedhjen e një presidenti jopartiak, i aftë të përfaqësojë interesat e shtetit dhe jo të ndonjë partie politike.
Nëse arrin ta bëjë këtë, Kosova ka mundësinë të luajë rolin që dëshirojmë ta ketë – të jetë burim stabiliteti, parashikueshmërie dhe partner i SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në avancimin e sigurisë dhe prosperitetit rajonal.
Sa është e rëndësishme që Kosova të formojë shpejt institucione stabile pas zgjedhjeve?
Ajo që ndodh në Kosovë nuk mbetet vetëm në Kosovë.
Çështja e marrëdhënieve të Kosovës me fqinjët e saj, e veçanërisht me Serbinë, ka ndikim të madh në stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të rajonit.
Për këtë arsye, SHBA-të presin që Kosova të luajë një rol konstruktiv dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve.
Ne e njohim dhe e respektojmë sovranitetin e Kosovës.
Ne e refuzojmë çdo pretendim se Kosova është diçka tjetër përveç asaj që është – një shtet sovran, i pavarur dhe multietnik.
Por Kosova mund të vazhdojë t’i realizojë objektivat e saj strategjike përmes partneritetit me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, dhe kjo do të sjellë më shumë stabilitet për rajonin.

