E ardhmja e Andrea Cambiaso mund të jetë larg Torinos. Sipas raportimeve të fundit nga Italia, Barcelona ka bërë sondazhet e para për mbrojtësin e krahut të Juventus duke mbledhur informacione rreth situatës së tij dhe mundësisë së një transferimi gjatë merkatos së verës.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e vlerëson shumë profilin e Cambiasos falë fleksibilitetit të tij, pasi mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes dhe në role më të avancuara. Për momentin nuk ka negociata konkrete mes klubeve, por interesi i katalanasve është real dhe po ndiqet me vëmendje nga Juventusi.
Mbrojtësi 26-vjeçar ka kontratë me bardhezinjtë deri në vitin 2029 dhe konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Megjithatë, një ofertë e rëndësishme financiare mund ta bëjë Juventusin të ulet në tavolinën e bisedimeve, me vlerësimin e lojtarit që llogaritet rreth 50 milionë euro.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Barcelona do ta shndërrojë interesimin fillestar në një ofertë zyrtare për italianin, i cili po monitorohet nga afër prej gjigantit spanjoll.

