Trajneri portugez, José Mourinho, raportohet se eka përgatitur një listë futbollistësh tek të cilët nuk llogarit për sezonin e ardhshëm te Real Madridi.
Sipas mediave spanjolle, në listën e lojtarëve që mund të largohen nga “Santiago Bernabéu” janë Raúl Asencio, Fran García, Dani Ceballos, Eduardo Camavinga, Franco Mastantuono dhe Rodrygo,
Burimet bëjnë të ditur se disa prej tyre, si Ceballos dhe Camavinga, tashmë konsideroheshin kandidatë për t’u larguar, ndërsa për talentin argjentinas Mastantuono po shqyrtohet mundësia e huazimit për të fituar më shumë minuta aktivizimi.
Befasia më e madhe në këtë listë është emri i Rodrygos, i cili deri më tani nuk ishte përfolur si pjesë e lojtarëve që mund të largohen nga klubi madrilen.
Në të njëjtën kohë, raportohet se Mourinho i ka identifikuar edhe përforcimet që i dëshiron në skuadër, ndërsa i konsideron të paprekshëm mesfushorët Federico Valverde dhe Jude Bellingham.
Megjithatë, duhet theksuar se deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nga klubi për këto informacione dhe raportimet mbështeten në burime mediatike pranë Real Madridit.

