Liverpooli raportohet se ka shprehur interesim për një mbrojtës që po luan në Kupën e Botës dhe që mund të formojë një dyshe me Virgil van Dijkun në qendër të mbrojtjes së ekipit të Andoni Iraolës.
Vera ka qenë tashmë shumë e ngarkuar për Liverpoolin pas shkarkimit të Arne Slot dhe emërimit të Iraolës në krye të skuadrës.
Për shkak të lidhjeve të trajnerit spanjoll me ish-klubin e tij Bournemouthin, disa lojtarë të “Cherries” janë përmendur si objektiva të mundshëm të Liverpoolit, përfshirë Alex Scott, Rayan, Adrien Truffert dhe Eli Junior Kroupi.
Ndërkohë, Liverpooli është lidhur edhe me një rikthim të ish-mbrojtësit të tij, Jarell Quansah, me raportimet që sugjerojnë se ai tashmë ka rënë dakord për kushtet e rikthimit pas vetëm një sezoni te Bayer Leverkuseni në Bundesliga.
Nga ana tjetër, Cody Gakpo, Federico Chiesa dhe Curtis Jones janë lidhur me largime të mundshme nga klubi, ndërsa Mohamed Salah, Andy Robertson dhe Ibrahima Konaté tashmë janë larguar zyrtarisht.
Konaté, i cili pritet t’i bashkohet Real Madridit këtë verë, ishte një figurë e rëndësishme në dhomat e zhveshjes dhe ka treguar se “nuk e dinte” që ndeshja kundër Brentfordit më 24 maj do të ishte e fundit e tij me fanellën e Liverpoolit.
Liverpooli pritet të kërkojë një zëvendësues për francezin, pavarësisht se Giovanni Leoni po vazhdon rikuperimin nga një dëmtim i rëndë në ligamentin ACL dhe se Jérémy Jacquet tashmë i është bashkuar skuadrës.
Sipas “TeamTalk”, Liverpooli është një nga pesë klubet e Premierligës që po ndjekin mbrojtësin e Kombëtares së Koresë së Jugut, Lee Han-beom, i cili luan për Midtjyllandin.
23-vjeçari ishte titullar në fitoren 2-1 të Koresë së Jugut ndaj Çekisë më 14 qershor dhe progresi i tij po monitorohet nga Liverpooli, Leeds United, Chelsea, Newcastle United dhe Brighton.
Lee debutoi me Kombëtaren e Koresë së Jugut në vitin 2025 dhe tashmë konsiderohet një nga zgjedhjet e para të trajnerit Hong Myung-bo.
Mbrojtësi, i cili iu bashkua Midtjyllandit nga Seouli në vitin 2023, ndihmoi klubin e tij të fitonte Kupën e Danimarkës sezonin e kaluar, duke shënuar golin e vetëm në finale kundër FC Copenhagen.
Lee ka vetëm 12 muaj të mbetur në kontratën e tij, gjë që ka tërhequr vëmendjen e shumë skautëve në Evropë. Përveç klubeve angleze, edhe Borussia Dortmund, RB Leipzig, Napoli, Monaco dhe Lyon po ndjekin zhvillimin e tij.
Megjithatë, pavarësisht interesimit nga disa prej klubeve më të mëdha angleze, përfshirë Liverpoolin dhe Chelsean, koreano-jugori pranoi në një intervistë për Flashscore në maj se destinacioni i tij i ëndrrave është Manchester City.
“Skuadra për të cilën dua të luaj më shumë është Manchester City. Është ekipi im i preferuar dhe dua të luaj nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola. Nuk është e domosdoshme të jetë Premier League; ëndrra ime është të luaj në një kampionat të madh si Bundesliga,” tha ai.
Kur u pyet për kundërshtarin më të vështirë me të cilin është përballur, Lee shtoi:
“Është e vështirë të zgjedh vetëm një, por Morgan Gibbs-White i Nottingham Forest duket më kërcënuesi. Ai nuk është sulmuesi që markoj zakonisht, por duke parë sa shumë vështirësi kanë shokët e mi të skuadrës për ta ndalur, duket një lojtar shumë inteligjent dhe i fortë. Edhe sikur ta markoja njeri me njeri, do të ishte shumë e vështirë”.

