REL: Ombrella amerikane fillon të mbyllet për Ballkanin

by Nexhat

Politika e re amerikane kërkon më shumë nga Ballkani Perëndimor dhe premton më pak nga vetja. Ajo zhvendos fokusin te bashkëpunimi ekonomik, dhe lë në plan të dytë rolin tradicional politik dhe të sigurisë.

Në një rajon me institucione të brishta dhe tensione të hapura, kjo qasje nuk është pa rrezik.

banner

Bashkëpunëtorja e Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, Heather Conley, veçon Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën si vendet më të cenueshme – e para për shkak të strukturës së fragmentuar shtetërore dhe ndarjeve etnike, e dyta për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Serbinë dhe varësisë nga bashkësia ndërkombëtare për sigurinë.

Ajo thotë se zhvendosja drejt “pronësisë lokale”, pa lidership të qartë dhe pa strategji të detajuar, mund të thellojë bllokadat ekzistuese dhe të forcojë aktorët nacionalistë dhe të korruptuar, ndonëse e konsideron të nevojshme qasjen e re.

“Unë mendoj se zgjidhjet duhet të vijnë dhe të mbështeten nga vetë vendet, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Përpjekjet e forcave të jashtme transatlantike për të imponuar zgjidhje, nuk kanë pasur sukses, pavarësisht se janë provuar si mbi njërën, ashtu edhe mbi tjetrën palë. Kosova dhe Serbia, për shembull, i kanë shfrytëzuar marrëveshjet për të rritur nacionalizmin në të dyja anët”, thotë Conley për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi nga fundi i majit një raport të ri për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të një kërkese të Kongresit amerikan.

Dokumenti thekson se epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar dhe se angazhimi i SHBA-së do të fokusohet më shumë në stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë, sesa në ndërhyrje direkte për rindërtim apo “shpëtim” të rajonit.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës për koment mbi dokumentin amerikan, por nuk mori përgjigje nga asnjëri institucion.

Ajo që vihet re është se qasja amerikane tani, dallon qartë nga politika e viteve ’90, kur Shtetet e Bashkuara luajtën rol të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkan.

Atëkohë, Uashtingtoni udhëhoqi procesin e arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit për t’i dhënë fund luftës mbi trevjeçare në Bosnje, ndërsa më vonë drejtoi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik në Kosovë.

“Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… dhe një fuçi baruti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë gjatë këtij shekulli – me pasoja katastrofike. Po veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 24 mars 1999 – ditën kur NATO-ja nisi bombardimet.

Pas asaj periudhe, roli amerikan mori formën e një “patronazhi” të vazhdueshëm për ndërtimin e shteteve dhe institucioneve në Ballkan, duke mbështetur sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe veçanërisht sigurinë.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Departamentit amerikan të Shtetit me pyetje lidhur me qasjen e re në rajon dhe ndikimet e saj, por nuk mori përgjigje.

Conley, e cila në fillim të viteve 2000 ka shërbyer si zëvendëse e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, vlerëson se dokumenti nuk përbën një strategji të plotë, por më tepër një përpjekje për të pasqyruar prioritetet aktuale të administratës amerikane.

Sipas saj, ai ndërthur elemente të politikës tradicionale të Shteteve të Bashkuara në rajon – si lufta kundër krimit të organizuar – me fokusin ekonomik të epokës së presidentit Donald Trump.

“Është koha të provohen disa qasje të reja, ku liderët marrin përgjegjësi për një drejtim të ri, pa i fajësuar faktorët e jashtëm se po i detyrojnë drejt tij. Evropianët dhe amerikanët mund të ofrojnë mbështetje, por edhe masa korrigjuese nëse situata fillon të devijojë dhe të rrisë paqëndrueshmërinë. Pra, jam e hapur ndaj qasjeve të reja, por nuk shoh detajet dhe njerëzit që do t’i çojnë përpara ato”, thotë Conley.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy