Mesfushori i Anglisë, Jordan Henderson, ka pësuar një lëndim të rëndë menjëherë pas fitores dramatike 3:2 ndaj Meksikës, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e tij në Kupën e Botës 2026.
36-vjeçari u lëndua gjatë festës së lojtarëve në stadiumin Azteca, kur, duke kaluar mbi tabelat reklamuese, u rrëzua keq dhe dëmtoi kyçin e dorës. Henderson u largua nga stadiumi me barelë dhe më pas u dërgua në spital.
Sipas raportimeve, mesfushori i Brentfordit pritet të humbasë pjesën e mbetur të turneut. Deri më tani, ai kishte luajtur vetëm gjashtë minuta në Botëror, si zëvendësues në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Panamasë.
Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, konfirmoi se lëndimi duket serioz.
“Jordan u rrëzua dhe lëndoi kyçin e dorës. Duket një lëndim i rëndë. Mjeku më tha se ai ndodhet në spital”, tha Tuchel.
Henderson u pa duke u larguar nga stadiumi i shoqëruar nga stafi mjekësor i Anglisë dhe nuk do të udhëtojë me ekipin në kthimin e planifikuar të së hënës.
Ky është një tjetër problem për Anglinë, pasi edhe Reece James vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi në muskujt e kofshës, ndërsa Jarrel Quansah u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Meksikës.
Anglia do të përballet me Norvegjinë në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet të shtunën në Miami

