Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka paraqitur kërkesë zyrtare FIFA-s për anulimin e kartonit të verdhë që iu dha Michael Olise në fitoren e Francës ndaj Paraguait në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026.
Sipas “L’Equipe”, drejtuesit e futbollit francez besojnë se anësori i Bayern Munichut u ndëshkua padrejtësisht pas një përplasjeje në minutat shtesë me mesfushorin e Paraguait, Matias Galarza.
FFF argumenton se pamjet televizive tregojnë se Olise nuk pati kontakt me kundërshtarin dhe, për këtë arsye, kartoni i verdhë nuk duhej të jepej.
Ky karton mund të ketë ndikim të madh në vazhdimin e rrugëtimit të Francës në Botëror. Nëse Olise ndëshkohet sërish me karton të verdhë në çerekfinalen ndaj Marokut, ai do të mungonte në një gjysmëfinale të mundshme.
Për këtë arsye, Federata Franceze shpreson që FIFA ta pranojë ankesën dhe ta anulojë kartonin, duke i mundësuar Olises të vazhdojë turneun pa rrezikun e një pezullimi të menjëhershëm

