Një instruktor fluturimi nga Argjentina u hodh nga avioni drejt vdekjes në mes të një ore mësimi fluturimi, duke i thënë studentes së tronditur: “E di çfarë duhet të bësh”, dhe duke e lënë atë të ulte vetë mjetin ajror.
Leandro Andrés Bertazzo u identifikua si instruktori që u hodh nga avioni Cessna 150G mbi qytetin Toledo, në Argjentinën qendrore, më 4 korrik, duke e braktisur studenten e tij gjatë fluturimit, njoftoi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Carlos Gonella.
“E di çfarë duhet të bësh, vazhdo”, i tha Bertazzo 22-vjeçares Rosario, raportoi media argjentinase Todos Noticias (TN).
Më pas, Bertazzo hoqi rripin e sigurimit nga ulësja e tij, largoi kufjet, hapi derën e avionit dhe u hodh jashtë, raporton NewYorkPost.
Rosario, e cila posedon licencë private piloti, njoftoi zyrtarët e shkollës së fluturimit Flying Parrot në Kordobë për tragjedinë në ajër dhe mori udhëzime për procedurat emergjente, duke arritur ta ulte në mënyrë të sigurt avionin stërvitor.
Álvarez, i cili kishte punuar ngushtë me Bertazzon, tha se nuk e kuptonte arsyen pse instruktori i tij u hodh nga avioni.
“Ai mori këtë vendim tragjik në bordin e një avioni, me një person tjetër pranë tij. Nuk ka asnjë mënyrë për ta menduar apo kuptuar atë, por mendja njerëzore është shumë komplekse dhe e paparashikueshme. Prandaj ndodhi ajo që ndodhi”, tha Álvarez, sipas medias.
Prokurorët kanë nisur një hetim për vdekjen e Bertazzos, pasi kanë sekuestruar avionin për të përcaktuar rrethanat që çuan në rënien fatale, njoftoi të martën prokurori i përgjithshëm.
Sipas medias, Bertazzo dyshohet se kishte pasur probleme të shëndetit mendor dhe ishte regjistruar në një klinikë psikiatrike pa dijeninë e askujt, përveç familjarëve të tij të afërt.
“Ai kishte qenë në një institut neuropsikiatrik, por askush nuk e dinte. Vetëm familja e tij”, zbuloi Álvarez.
Bertazzo i kishte mbajtur të fshehura vështirësitë e tij, pasi askush në shkollën e fluturimit nuk kishte vërejtur diçka të pazakontë tek ai.
“Ekziston një marrëdhënie shumë e afërt mes studentit dhe instruktorit në aspektin profesional, por asnjë nga ata që fluturuan me të, apo ata që e panë, nuk mund ta kuptonin se ai do të merrte vendimin për t’u hedhur nga avioni. Natyrisht, diçka nuk ishte në rregull”, tha Álvarez për TN.
Avioni stërvitor nuk pësoi dëmtime, përfshirë edhe derën.
Zyrtarët u shprehën të habitur nga veprimi i Bertazzos, duke thënë se hapja e dyerve të avionit gjatë fluturimit është shumë e vështirë. Ata e krahasuan këtë me përpjekjen për të hapur derën e një makine gjatë vozitjes me rreth 200 kilometra në orë.
Bertazzo ishte pilot me përvojë shumëvjeçare dhe kishte disa licenca, përfshirë atë të pilotit të transportit ajror (ATP), pilotit komercial të klasit të parë dhe instruktorit të fluturimit.
Sipas medias, gjatë karrierës së tij ai kishte punuar për një periudhë të shkurtër edhe në shtetin fqinj, Kili.

