Shkruan: Gjon GJOKAJ
Disa ditë më parë, në qendër të Tuzit, pamë një protestë të malësorëve kundër Podgoricës, e cila përmes arbitrazhit po përpiqet të pushtojë një pjesë të madhe të territorit të Malësisë tonë heroike. Protesta dhe demostruesit shqiptarë nga e gjithë Malësia, përmes mesazhit të tyre, shprehën qartë dhe sinqerisht pakënaqësinë e tyre që toka e Malësisë po vihet në rrezik ndarje, përsëri pas më shumë se një shekulli.
Çdo shqiptar e di shumë mirë se kjo është ëndërra e Podgoricës, jo vetëm për të përçarë malësorët, por për ta ricoptuar Malësinë njëherë e përgjithmonë sipas planëve të vjetra, me pretekstin e eliminimit të faktorit shqiptar në këtë republikë. Për të asimiluar racën më të pastër evropiane, dhe fisnikërinë e malësorëve, dhe për ta ndryshuar realitetin demografik të kësaj krahine shqiptare.
Me këtë akt, Mali i Zi synon të vrasë dy zogj me një gur, domethënë të shkatërrojë plotësisht diasporën malësore në Amerikë, të cilën për dekada me radhë UDB-ja, përmes satelitëve të saj, është përpjekur ta përvetesojë, në mënyrë që malësorët të bëhen pjesë e “mergatës së qyqeve”, dhe t’i vendosë nën sqetullën e diasporës malazeze, të ashtuquajturës – “Matica Iseljenika Crne Gore”.
Malësorët e diasporës për gjysmë shekulli me radhë ngritën zërin dhe ishin më të fortët në solidaritet me popullin e vuajtur shqiptar nën ish-Jugosllavi, dhe në veçanti ata ishin zëri parësor i diasporës shqiptare për sensinilizimin e çështjes së Kosovës pran institucioneve amerikane në Uashington. Ata protestuan edhe kundër çdo padrejtësie që I kërcënonte shqiptarët nën Mal të Zi, përfshirë aksionin famëkeq “Fluturimi i Shqiponjës”, ku malësorët u sulmuan dhe u rrahën në shtëpitë e tyre, u keqtrajtuan për vite me radhë në burgjet malazeze dhe në fund qeveria i quajti terroristë.
Duke qenë të vetëdijshëm se territori i Malësisë po vihet përsëri në rrezik, malësorët e diasporës amerikane ende nuk kanë arritur të dalin përmes shoqatave të tyre me ndonjë deklaratë me moton e protestës se; “Tokat e Malësisë nuk preken” ose “Malësia nuk lejojmë të zvogëlohet”. Por për një gjë e tillë, me një mesazh të qartë uniteti, ende nuk është vonë.
Malësia dhe diaspora duhet të bashkohen, ashtu siç u bashkuan kur formuan komunën e Malësisë vite me parë. Malësia dhe diaspora duhet të bashkohen, për të mbrojtur dinjitetin tonë përmes mençurisë dhe qëndrueshmërisë, sepse Mali i Zi është gjithmonë i kapluar nga frika e diasporës së fuqishme shqiptare, dhe këtë herë nuk guxojmë t’i dorëzohemi asaj, për t’u treguar atyre se jemi të pandashëm dhe të pamposhtur për mbijetesën Malësisë më gjithë teritorin e saj të paprekshëm, me doket e zakonet, me zhvillim dhe përparimin e saj, me ngritjen e vetëdijes dhe emancipimin kombëtar.
Por ajo që është më e çuditshme është pse inteligjenca e pavarur ose intelektualët shqiptarë në Mal te Zi, heshtën para këtij akti antishqiptar. Sigurisht, se jemi mësuar me faktin se atdheu ynë NANA -Shqipëri, duhet të na dal zot (me të drejtë kushtetuese), duhet të mbrojë zonat etnike jashtë kufijve të saj. Por as ky arsyetim nuk është real, pasi ndimna e NANËS, për të na e ngjitë dorën nuk erdhi kurrë.
Është e pajustifikuar që intelektualët shqiptarë që vrapojnë pas festimeve dhe simpoziumeve të ndryshme, dhe për të marrë ndonjë dekoratë për të treguar patriotizmin e tyre, janë bllokuar kaq keq për këtë çështje dhe me heshtjen e tyre mund të konkludohet me keqardhje se është dekretuar një kapitullim përfundimtar i zërit të identitetit shqiptar në këtë republikë.
Pa dashur të cënojmë inteligjencën apo dinjitetin e askujt, dihet se Malësia në kontekstin historik ka pasur gjithmonë heronj dhe luftëtarë të pathyeshëm që mbrojtën trojet e tyre me dije dhe gjak, si; Dedë Gjo Luli, Prekë Cali, Vat Marashi, Major Dodë Nikolla, Kapiten Gjelosh Luli, etj.
Pavarësisht përpjekjeve të të gjithë atyre që sakrifikuan vetën për Shqipërinë, Malësia u copëtua përsëri, sepse fati i saj nuk varej nga heronjtë tanë, por nga dinakëria e armikut dhe aleatëve të tij të fuqishëm. Nga kjo përvojë duhet të mësojmë se politika shqiptare, në këtë republikë, nuk mund të fitojë asnjë betejë pa krijuar unitet të përbashkët kombëtar.
Të gjithë e dinë këtë lojë, se këtë herë fati i Malësisë nuk do të vendoset nga udhëheqja shqiptare e Malësisë, por nga qarqet vendimmarrëse në Podgoricë. Prandaj, Malësisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të veprojë, jo vetëm me protesta që janë thjesht një zë pakënaqësie, por me të gjitha mjetet e mundshme, deri edhe me ankesa në dyert e Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian.
Nëse duam drejtësi, atëherë protesta duhet të zhvendoset aty ku merren vendimet e mëdha: në Podgoricë, përpara qeverisë qendrore të Malit të Zi. Atje, zëri i Malësisë duhet të dëgjohet, në mënyrë që bota perendimore të informohet se faktori shqiptar në Mal të Zi nuk ka vdekur dhe se ata duhet të mbajnë përgjegjësi, sepse ata nuk mund t’i plotësojnë kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa përmbushur të drejtat dhe standardet demokratike dhe barazi të të gjithë qytetarëve të saj, sidomos për popullatën autoktone shqiptare, dhe për këtë arsye zëri ynë duhet të dëgjohet para Komunitetit Evropian. Prandaj, Malësia duhet ta paraqesë çështjen e saj me dinjitet, argument dhe unitet.
Tokat e Bjeshkëve të Trieshit, Kojës, Fundnave dhe Luharit, të cilat janë të përbashkëta me bjeshkët e Kuçit, duhet të ndajnë kufijtë e tyre së bashku, sepse edhe ata, sipas deklaratave të tyre, pranojnë se gjysma e Koritës i përket Trieshit, dhe pjesë të tjera Koshticës, Trieshit, Kojës, Luharit dhe Fundnës. Siç dihet edhe një pjesë e mirë e Trieshit me Malin e Kazhenikut, duan të plaçkiten dhe të aneksohen në Podgoricë, si dhe tokat në Rakiq, Mal të Kakarriqit, Fundëna, Luhar, Kojë etj.
Pse duhet të ndodhë kjo?
Ne nuk e fajësojmë komisionin e palës shqiptare, por duam t’i mbrojmë ata, sepse edhe ata kanë ndërgjegje, dhe ne e dimë se po përballen me presion, e mos të themi se janë para aktit të kryer.
Në takimin që Shoqata Malësia e Madhe dhe Fondi Humanitar Trieshi patën në New York, disa vite më parë me Kryetarin e Komunës së Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj, ai na siguroi se kur të përcaktohen kufijtë e Komunës së Tuzit, të gjitha territoret e Malësisë do të jenë të padiskutueshme për çdo ndarje, me përjashtim të një pjese të Koritës.
Prandaj nëse, një vendim arbitrazhi nga Podgorica është i njëanshëm, ne duhet t’i mbrojmë bashkërisht këto toka të shenjta të Malësisë sonë, dhe duhet të organizohen ekipe të posaçme për këtë çështje, të cilën evropianët e quajnë; “Dukshmëria e kufirit territorial”, që i referohet se sa qartë dhe prekshëm mund të zbulohet një kufi gjeografik, politik ose konceptual. Në varësi të kontekstit, kjo varion nga barrierat fizike deri te njohja abstrakte e vendit ku mbaron një autoritet ose hapësirë dhe fillon një tjetër.
Kështu funksionojnë komisionet ndërkombëtare dhe kështu vepron Bashkimi Evropian mbi parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicave indigjene brenda kufijve ekzistues, që në Malësi, megjithëse nën Malin e Zi, të paktën duhet t’i mbrojmë këto territore shqipfolëse dhe bjeshkët tona që janë “Legjenda e Malësisë”.
Pra, në asnjë mënyrë nuk guxojmë të heqim dorë dhe të mos tregojmë të drejtën tonë, për të mbrojtur tokat tona që janë pjesë shekullore e ekzistencës dhe identitetit tonë. Ne jemi një popull me tradita dhe vlera arbënore, dhe si të tillë, duhet ta mbrojmë tokën tonë me gjithë fuqinë që kemi, sepse prona është një e drejtë hyjnore, që daton që nga Zanafilla, libri i parë i Biblës, ku Zoti i dha jetën njerëzve dhe të drejtën për të trashëguar pasuritë e tyre. Ndarjet dhe kufijtë e tokës ekzistonin edhe para Noeut dhe Abrahamit. Kështu, që Malësia të mbetet e sigurt, mbështetja dhe uniteti i të gjithë banorëve të saj janë përsëri thelbësore. Sepse nëse tokat tona ndahen dhe plaçkiten nga Podgorica sot, Malësia do të ndahet dhe shpërbëhet nesër, dhe forcat politike të Malësisë nuk do të jenë më në gjendje të zotërojnë institucionet lokale që i kemi fituar nëpërmjet mundit dhe unitetit tonë. Atëherë identiteti shqiptar dhe gjuha shqipe në Malësi do të zhduken si vesa para diellit.
Pavarësisht propagandës publike, se gjoja dikush mund të mbështesë një individ ose grup tjetër, të gjithë duhet të kuptojmë se territoret shqiptare janë mbi çdo interes tjetër dhe se demonstratat e sotme dhe të nesërme janë shpirtërisht kombëtare dhe nuk janë as politike dhe as të drejtuara kundër Forumit Shqiptar, përkundrazi ato e mbështesin atë dhe mbrojnë interesat e Malësisë. Shqiptarët kërkojnë transparencë të plotë, duke ditur se arbitrazhi në duart e Malit të Zi nuk është “Kutia e Pandorës”, por një dozë e “Elaboratit Çubriloviqian”.
Nuk është turp të protestojmë për çdo të drejtë që na takon, kur në Podgoricë dhe qytete të tjera të Ballkanit protestojnë në mbrojtje të gjinive të ndryshme artificiale globaliste anti-njerëzore si për homoseksualët, lezbiket etj.
Protesta është një e drejtë themelore njerëzore, sepse kërkohet për të mbrojtur territoret tona, dhe kështu bëhemi më të fortë kur dimë të mbrojmë atë që na takon – tokën tonë dhe pragun e shtëpive tona.
-Protesta duhet të vazhdojë
-Heshtja është vetëvrasje kur cenohet integriteti i vendit.
-Zëri i malësorëve duhet të dëgjohet aty ku merren vendime.
-Malësia nuk duhet të ndahet – Malësorët duhet të qëndrojnë të bashkuar.
Autori është veprimtar i komunitetit shqiptar në SHBA dhe kryetar i Fondit Humanitar “Trieshi”

