Legjenda e Manchester Unitedit, Quinton Fortune, ka paralajmëruar trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, që të mos bjerë pre e lojërave psikologjike të Jose Mourinhos, pas rikthimit të portugezit në stolin e Real Madridit.
Real Madridi zyrtarizoi rikthimin e Mourinhos në muajin qershor, duke shkaktuar reagime të mëdha në botën e futbollit. Klubi madrilen vendosi t’i besojë sërish trajnerit që në të kaluarën e kishte drejtuar skuadrën me sukses.
Flick është pyetur më herët për mundësinë e përballjes me Mourinhon dhe ka bërë të qartë se nuk ndihet i shqetësuar nga rikthimi i portugezit.
“Po, pse jo? Ai është trajneri i skuadrës kundërshtare dhe unë jam gjithmonë i gatshëm të përballem me këdo”, kishte deklaruar Flick.
Megjithatë, Fortune beson se Mourinho mund të përpiqet të përdorë taktikat e tij të njohura psikologjike për të shpërqendruar Flickun dhe Barcelonën.
“Hansi Flick është një person i qetë dhe mendoj se tashmë e di se çfarë po e pret, tani që Jose Mourinho është rikthyer te Real Madridi”, ka thënë Fortune në një intervistë për Premier Bet.
Ai ka paralajmëruar trajnerin gjerman se nuk duhet të lejojë që Mourinho të ndikojë në përqendrimin e tij.
“Nëse e lejon Mourinhon të futet në kokën e tij, atëherë gjithçka ka përfunduar. Është e mbaruar. Nëse Mourinho gjen një mënyrë për të hyrë në kokën tënde, je i mbaruar”, është shprehur Fortune.
Ish-futbollisti i Manchester Unitedit e ka vlerësuar lart Flickun, por ka theksuar se Mourinho është ndër trajnerët më të aftë në botë kur bëhet fjalë për lojërat psikologjike.
“Flick është një trajner shumë i mirë, por Mourinho është një nga më të mirët në këtë aspekt, në lojërat psikologjike. Për më tepër, ai ka mjaftueshëm cilësi në skuadrën e tij për ta dëmtuar Barcelonën edhe në fushë”, ka shtuar ai.
Sipas Fortune, Mourinho do të përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga lojtarët e tij, duke krijuar presion mbi Barcelonën dhe Flickun.
“Mourinho do të bëjë gjithçka që mundet për ta larguar fokusin nga lojtarët e tij, ndërsa do të përpiqet të shqetësojë Barcelonën dhe të krijojë zhurmë diku tjetër, në mënyrë që gjithë presioni të jetë mbi Flickun dhe lojtarët e tij. Do të jetë një test i madh për ta”, përfundoi Fortune.
Mourinho, dy herë fitues i Ligës së Kampionëve, ka kaluar disa vite të vështira në karrierën e tij, por rikthimi te Real Madridi i jep mundësinë të rikthejë sukseset e dikurshme. Nëse arrin të përsërisë një pjesë të rezultateve të mandatit të tij të parë në Madrid, përballja me Barcelonën e Flickut pritet të jetë një nga rivalitetet më interesante të sezonit

