Ronald Araujo ka zgjedhur fanellën me numrin 33 te Liverpooli dhe pas këtij vendimi qëndron një arsye prekëse.
Vetëm pak ditë pasi Liverpooli arriti një marrëveshje surprizuese me Barcelonën për transferimin e Araujo, mbrojtësi qendror u prezantua zyrtarisht si lojtar i Andoni Iraolës të hënën në mbrëmje.
Së bashku me sulmuesin e krahut Victor Munoz, i cili u transferua nga Osasuna për 34.5 milionë paund më herët gjatë kësaj vere, Araujo bëhet përforcimi i dytë i “Të Kuqve” në këtë merkato.
Mbrojtësi uruguaian është bashkuar me Liverpoolin në huazim për një sezon nga Barcelona, me mundësinë që marrëveshja të bëhet e përhershme në fund të sezonit për 55 milionë euro (47.14 milionë paund).
Araujo mbërrin në “Anfield” në një moment të vështirë për Andoni Iraolën, i cili është goditur nga dëmtimet e disa prej mbrojtësve të tij.
Joe Gomez pësoi një dëmtim muskulor gjatë fitores 4-2 në ndeshjen përgatitore ndaj Sunderlandit në fund të muajit të kaluar dhe do të mungojë në fillimin e sezonit të Premierligës.
Jeremy Jacquet dhe Giovanni Leoni janë gjithashtu ende jashtë për shkak të dëmtimeve, çka do të thotë se Virgil van Dijk ishte opsioni i vetëm i gatshëm në nivel të lartë në atë pozicion përpara mbërritjes së Araujo.
27-vjeçari pritet të bëjë debutimin e tij jozyrtar ndaj Comos më 16 gusht, përpara se të shpresojë të jetë titullar një javë më vonë kundër Newcastle United, teksa Liverpooli do ta nisë sezonin e Premierligës në “St James’ Park”.
Çuditërisht, uruguaiani me 27 paraqitje me kombëtaren është shumë i emocionuar për të lënë gjurmë në elitën e futbollit anglez, pasi i është bashkuar një prej klubeve më të mëdha të kampionatit.
“Mezi pres të filloj. Jam shumë, shumë i lumtur,” tha Araujo për “LFC TV” pasi transferimi i tij u zyrtarizua.
“Jam i emocionuar që jam këtu, në këtë klub të madh me shumë histori. Jam i emocionuar të takoj shokët e skuadrës, mezi pres të filloj të luaj dhe jam shumë i motivuar dhe vërtet mezi pres të nis”, tha ai.
“Mendoj se ishte lëvizja ideale për mua në këtë fazë të karrierës. Mendoj se ishte një hap që duhej ta bëja. Sapo dëgjova për interesimin e Liverpoolit, gjithçka u zhvillua shumë, shumë shpejt”, shtoi ai.
Araujo është një mbrojtës qendror, por mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë, duke i ofruar Iraolës një alternativë të rëndësishme dhe shumëllojshmëri në repartin defensiv.
Uruguaiani do të mbajë fanellën me numrin 33 te Liverpooli, numër që për herë të fundit ishte mbajtur nga Jordon Ibe në vitin 2016. Në epokën e Premierligës, këtë numër e kanë mbajtur gjithashtu Jonjo Shelvey, Sebastian Leto dhe Neil Mellor.
Araujo mbante fanellën me numrin 4 te Barcelona, por ky numër te Liverpooli është i zënë nga Virgil van Dijk.
Megjithatë, numri 33 ka një kuptim sentimental për mbrojtësin uruguaian, i cili shpjegoi arsyen në intervistën e tij të parë.
“Është një numër që më pëlqen, një numër që është i veçantë për mua. Për ironi të fatit, kur bëra debutimin tim si profesionist, ky ishte numri që mbaja në atë kohë”, tha ai.
“Por ka edhe një kuptim personal për mua, lidhet me besimin tim dhe marrëdhënien time me Jezusin, Zotin dhe fenë”, shtoi ai.
“Është një temë për të cilën kam folur dhe kam pasur një bisedë shumë të mirë me miqtë e mi, familjen, partneren time dhe prindërit e mi. Është një numër që më bën shumë të lumtur ta mbaj për shumë arsye”, e mbylli mbrojtësi.

