Ish-ylli i Juventusit, Paul Pogba, pritet të bëhet sërish lojtar i lirë, pasi raportohet se AS Monaco ka vendosur të ndërpresë kontratën me të pas një tjetër dëmtimi.
Në këtë pikë, mbetet për t’u parë nëse 33-vjeçari dëshiron të vazhdojë karrierën apo do të vendosë t’i japë fund futbollit profesionist.
Pogba iu bashkua Monacos verën e kaluar si lojtar i lirë, duke firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2027.
Megjithatë, ai arriti të zhvillojë vetëm gjashtë ndeshje zyrtare për klubin, me gjithsej 115 minuta në fushë.
Sipas “L’Equipe”, “Le Parisien”, “Nice-Matin” dhe raportimeve të tjera nga Franca, Pogba ka pësuar një tjetër dëmtim muskulor gjatë fazës përgatitore, duke bërë që drejtuesit e Monaco-s të vendosin se aventura e tij me klubin ka ardhur në fund.
Mesfushori francez luajti vetëm në një miqësore këtë verë, duke qëndruar në fushë për 45 minuta më 18 korrik.
Ky është kapitulli i fundit në rënien dramatike të Pogbas, i cili dikur ishte lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit, kur Juventus e shiti te Manchester United për 105 milionë euro në vitin 2016.
Reprezentuesi i Francës u rikthye në Torino si lojtar i lirë në vitin 2022, por aventura e tij e dytë me Juventusin u shndërrua në një katastrofë.
Fillimisht, ai u përball me probleme të shumta fizike, ndërsa më pas u pezullua pasi rezultoi pozitiv në një test antidoping.
Pezullimi i tij u reduktua pas apelimit dhe Pogba u lejua të rikthehej në futboll në mars të vitit 2025.
Megjithatë, në atë kohë ai tashmë kishte ndërprerë me marrëveshje të dyanshme kontratën me Juventusin, në dhjetor të vitit 2024.
Pogba zhvilloi gjithsej 190 ndeshje me fanellën e Juventusit, duke shënuar 34 gola dhe dhënë 40 asistime.
Në karrierën e tij me Manchester Unitedin, francezi regjistroi 233 paraqitje.

