Aston Villa është në garë të fortë për transferimin e portierit të Parmës, Zion Suzuki, ndërsa Juventusi po përpiqet të sigurojë shërbimet e Emiliano Martinez.
Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romanos, Aston Villa po punon për të arritur marrëveshje me Suzuki, i cili ishte shumë pranë transferimit te Paris Saint-Germain. Portieri japonez pritej të udhëtonte drejt Parisit për t’iu nënshtruar testeve mjekësore dhe për të finalizuar transferimin, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit për shkak të komplikimeve lidhur me komisionet e agjentëve.
Kjo situatë i ka hapur rrugë Aston Villës për të ndërhyrë dhe për ta afruar Suzuki si një alternativë për portën e saj.
Ndërkohë, Juventusi ka intensifikuar përpjekjet për të transferuar Emiliano Martinez nga Aston Villa.
Sipas David Ornstein, klubi italian ka paraqitur një ofertë të re për portierin argjentinas dhe diferenca mes vlerësimit të dy klubeve është ngushtuar.
Juventusi është i gatshëm të paguajë deri në 10 milionë euro, të ndara në 7 milionë euro tarifë fikse dhe 3 milionë euro në bonuse, ndërsa Aston Villa kërkon 10 milionë euro të garantuara. Kushtet personale të Martinezit nuk përbëjnë problem për transferimin.
Martinez ishte shumë pranë largimit nga Aston Villa në fund të sezonit 2024/25, kur pas ndeshjes së fundit në shtëpi u pa duke përshëndetur tifozët në Villa Park, madje edhe në lot. Megjithatë, largimi i tij nuk u realizua dhe portieri vazhdoi të qëndronte te klubi anglez.
Tani situata mund të ndryshojë, pasi Aston Villa po punon për transferimin e Suzuki, gjë që mund të sinjalizojë një largim të mundshëm të Martinezit.
Megjithatë, klubi anglez ka deklaruar më herët se nuk dëshiron ta shesë portierin argjentinas. Drejtori i operacioneve të futbollit të Aston Villës, Damian Vidagany, kishte bërë të qartë muajin e kaluar se Martinez pritet të qëndrojë në klub dhe se ai mbetet pjesë e rëndësishme e projektit për sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht kësaj, interesimi i Juventusit dhe afrimi i mundshëm i Zion Suzukit kanë rihapur pikëpyetjet rreth të ardhmes së Martinezit në Villa Park

