Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gjashtë deputetë të LDK-së nuk po e respektojnë marrëveshjen e arritur mes dy partive për zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e grupit multietnik, që ishte aranzhuar më herët, derisa i kishte njoftuar ata për bisedimet dhe marrëveshjen me LDK-në, si dhe për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
“Ata ndajnë keqardhjen me të gjithë neve që kjo nuk po mund të realizohet, për shkak se gjashtë deputetë nga LDK-ja nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti.
Ai tha se LVV-ja do të vazhdojë përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Do të vazhdojmë të ecim tutje duke u përpjekur t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, deklaroi Kurti.

