Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha se vitin e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, që nuk e kishte shumicën për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, “vinte dhe propozonte në Kuvend çdo 24 orë”.
Ai tha se sot, LVV-ja nuk shkon në Kuvend.
“Nuk i kishte votat, vinte me propozu. Sot që i ka votat, nuk vjen me propozu fare”, tha ai në foltoren e Kuvendit, ku deputetë të PDK-së dhe Aleancës shkuan sërish për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
“Logjika është e njëjtë: me e blloku Kosovën”, tha deputeti.
Gruda tha se kryeministri në detyrë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka vendosur që Kushtetutës, rendit kushtetues dhe afateve “t’ia mbivendosë vullnetin e vet politik” dhe “ta kthejë atë në një statut të partisë”.
Ai tha se “nga kjo shumicë do të trashëgojmë vetëm anarki, vetëm shkeljen e Kushtetutës, vetëm arbitraritetin”.
“Një ditë këta nuk do të jenë shumicë. Shpresoj që shumica e re, kur të vijë, kur të vijmë ne, kur të vijë një gjeneratë tjetër politike, kurrë të mos e imitojë këtë shëmti që i ndodh Kosovës dhe kurrë Kosova të mos jetë në pozicion ku një njeri tenton t’i marrë krejt pushtetet në dorën e tij, kur një njeri i nënshtron krejt institucionet, kur një njeri pasi fiton i kundërvihet popullit të tij me bllokada, me varfëri, me shkelje ligji, me mozhvillim, me izolim”, tha Gruda.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi dhe nuk vazhdoi më.
LVV-ja ka insistuar se seanca konstituive nuk do të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

