Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka shkruar në FB-në e tij se deri në fund të vitit 2025, Prokuroria Speciale ka ngritur 80 aktakuza për krime lufte ndaj 260 personave. Ku thekson se në krye të kësaj prokurorie është Blerim Isufaj.
Tutje, Behrami shkruan se “së fundmi, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve serbë për krimet në Prekaz, përfshirë vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen e Jasharajve”.
“Por Isufaj nuk është përplasur vetëm me kriminelët serbë”, vijon ai.
Behrami thotë se Prokuroria Speciale ka hetuar dhe proceduar edhe zyrtarë të lidhur me pushtetin e Albin Kurtit.
“Kurti edhe më tutje refuzon të intervistohet nga Prokuroria Speciale për raste korruptive. Tash është mirë me na tregu Albini. A po e pengon më shumë arrestimi dhe ndjekja e kriminelëve serbë, apo fakti që Prokuroria Speciale mund të hetojë edhe njerëzit e tij?”, është shprehur Behrami.
Por, deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, reagimin e Behramit e ka quajtur “të cekët e qesharak”.
Kryeziu-Hyseni, në reagimin e bërë kundër Behramit shkruan: “Ky deputet, që dikur po merrej me tema të tjera si ajo e shkëmbimit territorial dhe aministimin e krimeve të luftës, ka harruar që ‘’GJYKIMIN NË MUNGESË’’ e ka mundësuar në vitin 2021 Lëvizja VETËVENDOSJE!. Pra, deri atëherë nuk ka qenë e mundur ngritja e ndonjë aktakuze në mungesë”.
Tutje, ajo thotë se “deri në ardhjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në pushtet lajm kanë qenë heqjet e fletarresteve si ai për Radojçiq. Se luftim të krimeve të luftës rrallë”.

