
Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë publik propozimin e tij për lidershipin e ardhshëm të partisë.
Hoti ka thënë se angazhimi i tij politik është që Kujtim Shala të jetë kryetar i ri i LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidate e partisë për kryeministre.
“Dua ta them publikisht se si unë e mendoj lidershipin e ardhshëm të LDK-së, me të cilin ne do të përballemi suksesshëm në zgjedhjet e radhës. Duke zgjedhur një lidership, një kryetar të ri të LDK-së, i cili është Kujtim Shala”, ka deklaruar Hoti në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ai ka theksuar se Shala është emri që ai e mbështet për drejtimin e partisë.
“Pra, Kujtim Shala të jetë kryetari i LDK-së. Angazhimi im, me gjithë kolegët, është që bartëse e listës dhe kandidatja jonë për kryeministre të jetë Hykmete Bajrami”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, Shala dhe Bajrami janë dy emrat më kredibilë rreth të cilëve mund të bashkohet LDK-ja.
“Këta janë dy emrat që unë kam bindjen e thellë që janë emrat më kredibilë për opinionin publik, të cilëve do t’ju qëndrojmë të gjithë prapa, pa asnjë përjashtim”, është shprehur ai.
Hoti ka theksuar se propozimi për ndryshimin e lidershipit nuk nënkupton përjashtimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
“Imagjinoni një ekip, një LDK të udhëhequr nga Kujtim Shala dhe një listë zgjedhore dhe kandidate për kryeministre Hykmete Bajrami, pa e përjashtuar Lumirin. Absolutisht, sigurisht, as nuk bëhet fjalë”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka thënë se edhe Abdixhiku dhe figura të tjera të partisë duhet të jenë pjesë e ekipit të ri, duke argumentuar se një bashkim i tillë do t’i mundësonte LDK-së të paraqitej me një ekip të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme.
Hoti ka shprehur bindjen se rreth Shalës dhe Bajramit mund të arrihet bashkimi i LDK-së në të gjitha degët e saj.
“Unë jam i bindur që rreth këtyre dy emrave, njërit si kryetar i LDK-së dhe zonjës Bajrami si bartëse e listës dhe kandidatja jonë për kryeministre, janë dy persona rreth të cilëve LDK-ja bashkohet nga Dragashi e deri në Kamenicë dhe nga Podujeva e deri në Prizren”, ka thënë Hoti.

