Se sistemi arsimor në Kosovë po çalon, kjo po dëshmohet nga viti në vit – sidomos që kur Kosova nisi të testohej në PISA.
Kështu, nga rezultatet preliminare të publikuara të martën të PISA 2025, del se 15-vjeçarët e shkollave tona kanë arritur rezultate dëshpëruese në lexim, matematikë dhe shkencë – kanë mbetur në 10-shen e fundit, pas Palestinës e Zambisë.
Nga pyetjet që ka publikuar Agon Ahmeti, drejtori ekzekutiv i ETEA, organizatë kjo që merret me përmirësimin e cilësisë në arsim, është konstatuar se 84% e nxënësve të shkollave tona nuk kanë arritur të kuptojnë arsyen se pse “Arta e futi çantën përsëri në dollap”.
“Lexoni tekstin ‘Arta e kishte pritur gjithë javën piknikun e së dielës. Çantën e mbante afër shtratit që nga e mërkura. Kur u zgjua të dielën në mëngjes dhe e pa shiun nga dritarja, çantën e futi përsëri në dollap’.
Pyetja: Pse Arta e futi çantën përsëri në dollap?
Fatkeqësisht, 84% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që Artës ia prishi shiu planet për piknik…”, thotë Ahmeti.
Ndërkaq, gabime në përgjigje, 15-vjeçarët e Kosovës dhanë edhe në fushën e shkencës, ku 79% e tyre nuk ditën të bëjnë dallimin nëse një peshqir i shtrirë thahet më shpejt se një i palosur.
“Dy peshqirë të njëjtë lagen me të njëjtën sasi uji. Njëri shtrihet, tjetri lihet i palosur. Pas dy orësh, peshqiri i shtrirë është i terur, ndërsa i palosuri jo, pse?
“Fatkeqësisht, 79% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që peshqiri i shtrirë ka më shumë sipërfaqe në kontakt me ajrin dhe rrjedhimisht uji avullon më shpejt…”, u shpreh Agon Ahmeti, drejtori ekzekutiv i ETEA.
Në një deklaratë për Klan Kosova, ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se problemi lidhet me të gjithë sistemin arsimor.
“Kemi mbetur në të njëjtën linjë, nuk po lëvizim. Ne i mësojmë fëmijët të mësojnë përmendësh, e jo si të bëjnë zgjidhje”, ka deklaruar Rexhaj/KK

