Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, i thirrur për nesër, ka nxitur debate për afatet kushtetuese dhe zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në “RTK Prime”, profesori i së drejtës Flamur Hyseni tha se nuk ka dilema kushtetuese për seancën, ndërsa Artan Alija vlerësoi se afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja duhet të respektohet. Analistja Fatime Hajdari tha se aktgjykimi lidhet me një rast konkret dhe se mungesa e përcaktimit të pasojave e bën të diskutueshëm zbatimin e tij në rrethana të tjera.
Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka thënë në emisionin “RTK Prime” se nuk sheh dilema kushtetuese lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për nesër.
Duke folur për afatet kushtetuese dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Hyseni tha se neni 66 i Kushtetutës nuk përcakton një afat strikt për përfundimin e seancës konstituive.
“Nuk ka, nuk ka dilema kushtetuese. Nuk ka asnjë dilemë kushtetuese sepse neni 66 i Kushtetutës është shumë i qartë. Domethënë neni është shumë i qartë, nuk parasheh afate, nuk parasheh pasoja”, tha Hyseni në RTK Prime.
Sipas tij, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që përcakton afatin 30-ditor lidhet me një rast konkret të vitit të kaluar dhe, sipas tij, rrethanat e atëhershme dallojnë nga situata aktuale.
“Aktgjykimi i referohet një rasti konkret të vitit të kaluar… Tani nuk jemi tek kjo rrethanë. Tani jemi tek faza e parë, vetëm hapi i parë është kryer, ai i betimit”, tha ai.
Hyseni shtoi se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por vlerësoi se në rastin aktual nuk mund të bëhet automatikisht referimi te vendimi i vitit të kaluar.
Ndryshe nga profesori Flamur Hyseni, përfaqësuesi i Strategic Group në Washington D.C., Artan Alija, tha në “RTK Prime” se afatet kushtetuese janë shkelur dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për afatin 30-ditor duhet të zbatohet.
“Një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka qenë shumë specifik: 30 ditë pas certifikimit të rezultateve duhet të ketë themelim të institucionit të Kuvendit, pikë”, tha Alija.
Sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese bëhen pjesë e praktikës kushtetuese dhe vlejnë edhe në situata të tjera, pavarësisht rrethanave politike.
Alija tha se, nëse pas seancës së nesërme lindin paqartësi rreth afateve dhe mënyrës së veprimit, partitë opozitare mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse s’e dimë çka, kjo është krizë kushtetuese”, tha Alija.
Analistja Fatime Hajdari tha në “RTK Prime” se situata aktuale dallon nga ajo e vitit të kaluar, kur Kuvendi kishte mbajtur dhjetëra seanca pa arritur të zgjidhte çështjen e konstituimit.
Ajo tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e kaluar kishte ofruar një zgjidhje për atë situatë konkrete, ndërsa mungesa e përcaktimit të pasojave në rast të mosrespektimit të afatit 30-ditor, sipas saj, e bën problematik zbatimin e tij në çdo rast tjetër.
“Fakti që nuk përmend pastaj pasojat, a shkon detyrimisht në zgjedhje, a shpërbëhet Kuvendi, cilat janë sanksionimet, do të thotë që nuk detyrimisht vlen edhe për raste të tjera”, tha Hajdari.
Ajo e konsideroi thirrjen e seancës së nesërme në interes të vendit, duke theksuar se, sipas saj, ekzistojnë 62 vota për konstituimin e Kuvendit.
“Bllokada nuk ka pse të vazhdojë, sidomos në rrethanën kur janë 62 vota për konstituimin e Kuvendit. Uroj që nesër të kalohet edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit edhe 5 nënkryetarëve”, tha Hajdari/RTK

