Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar deklarimin e deputetit të Listës Srpska, Igor Simiq, i cili u kthye në problematikë seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit.
Derisa po propozonte emrin e bashkëpartiakut të tij, Sllavko Simiq, për nënkryetar Kuvendi nga radhët e partisë së tij, Simiq tha: “Në emër të popullit serb…”.
Pas kthimit nga pauza, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Simiqit që ta tërheqë fjalën dhe ta bëjë propozimin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke thënë se “popull serb” ka në Serbi, ndërsa në Kosova ka “popull të Kosovës”.
Duke u pajtuar me këtë konstatim të Haxhiut, Kurti e përcolli edhe një mendim të dikujt nga Grupi i tij Parlamentar se pse Simiq mund të ketë deklaruar në këtë mënyrë.
“Nuk e di, dikush nga Grupi Parlamentar tha që kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit, i komandantit dhe gjeneralit që masakroi boshnjakët në Srebrenicë, që u nderua nga shteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe”, tha Kurti sot.
Kurti tha se propozimi i Listës Srpska i deponuar ka qenë në përputhje me Kushtetutën, por jo edhe deklarimi i sotëm i Simiqit.
“Siç e tha kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës, ishte në shpërputhje me betimin që ai vetë e ka bërë. Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Sllavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë ku ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Sllavko Simiqi, ishte në përputhje me Kushtetutën, por ajo çka deklaroi ishte në shpërputhje flagrante”.

