Prokuroria Speciale në Hagë po vazhdon kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Rishikimi për vazhdimin e paraburgimit që bëhet çdo dy muaj, për Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin është bërë me 15 korrik që do thotë se rishikimi i radhës është me 15 shtator, apo një ditë para aktgjykimit final të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gazetarja, Rina Mujku thotë se ZPS ka kërkuar në gusht vazhdimin e paraburgimit së paku deri në nëntor duke u arsyetuar tek statusi i Facebook-ut të Krasniqit të 24 prillit të 2020 dhe se Veseli ka qenë udhëheqës i SHIK-ut.
“Rishikimi i fundit, i çdo-dy-muajshëm i paraburgimit, për Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin është bërë më 15 korrik, që i bie ai i radhës të jetë më 15 shtator, një ditë para Aktgjykimit të shkallës së parë. Mbrojtja ka hequr dorë nga kërkesa për rishikim dhe lirim duke pritur vendimin e gjykatës, por jo edhe Prokuroria. ZPS edhe këtë gusht ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, së paku deri në nëntor 2026. Arsyetimet janë të njëjtat, statusi i Facebookut i Krasniqit i 24 prillit 2020, dhe se Veseli ka qenë udhëheqës i SHIK-ut”, ka shkruar ajo në Facebook.
Mbrojtja e Krasniqit ka thënë se nuk do paraqesë argumente tjera duke qenë se vendimi i Gjykatës Speciale do merret me 16 shtator.
“Mbrojtja vëren se vendimi për rishikimin periodik të paraburgimit pritet të merret më 15 shtator 2026, ndërsa aktgjykimi i gjykimit është planifikuar të shpallet nga Trupi Gjykues më 16 shtator 2026. Në këto rrethana, Mbrojtja nuk do të paraqesë argumente të tjera për lirimin para shpalljes së aktgjykimit”.

