Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) po shqyrton mundësinë që çështjen e ndërhyrjes së Qeverisë në buxhetin e Këshillit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të mungesës së theksuar të mjeteve financiare, .
Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, tha se aktualisht Këshilli ka mbi 3.5 milionë euro detyrime ndaj operatorëve dhe për të dënuarit pa bazë, ndërsa kërkesa buxhetore për vitin 2026 është miratuar rreth 15 milionë euro më pak sesa shuma e kërkuar.
“Unë i kam paraqitur në detaje te Asamblesë së Kryetarëve gjendjen me buxhet që e kemi. I kem njoftuar edhe më herët që kërkesa buxhetore e Këshillit për vitin 2026 është miratuar me rreth 15 milionë euro më pak sesa që ne kemi kërkuar”, tha ai.
Maliqi theksoi se problem shtesë paraqet edhe mosbartja e mjeteve për menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë, pas transferimit të kompetencave nga Ministria e Administratës Publike te KGJK-ja.
“Plus asaj, me transferimin e kompetencave nga Ministria e Administratës Publike për menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë, edhe pse në marrëveshje është paraparë që buxheti të transferohet në Këshillin Gjyqësor, nuk është aprovuar dhe nuk është transferuar asnjëherë. Si rezultat i krejt këtyre mungesave, përfshirë edhe mungesa në subvencione që janë të dënuarit pa bazë, në gjendjen aktuale që e kemi me buxhetin e Këshillit jemi diku për mbi 3 milion e 500 mijë euro minus ose mjete që kemi borxh ndaj operatorëve dhe të dënuarve pa bazë”, tha ai.
Sipas tij, KGJK-ja po shqyrton mundësinë e lëvizjes së mjeteve mes kategorive buxhetore për të përballuar mungesat, ndërsa në tremujorin e fundit pritet t’i drejtohet Ministrisë së Financave për mjete shtesë.
“Po bëjmë gjithçka çka është e mundshme që të bëjmë lëvizje mes kategorive buxhetore, sidomos te kapitalet aty ku ka mungesë ose, si rezultat i vonesave ne OSHP ndoshta nuk kemi arritur t’i realizojmë që të transferojmë. Por, patjetër që në tremujorin e fundit duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Financave me kërkesë për lejimin e buxhetit për mbulimin e këtyre shpenzimeve që kemi. Në të kundërtën, mosmiratimi i buxhetit, edhe sipas rekomandimit të Asamblesë së Kryetarëve për vitin 2027 që kemi paraparë edhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve, vitin e ardhshëm kemi me fillu me borxhe të mëdhaja”, tha ai.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, tha se që nga themelimi i Këshillit si institucion i pavarur, nuk ka pasur më herët një situatë të tillë sa i përket mungesës së buxhetit.
“Duhet të nënvizoj një fakt se Këshilli Gjyqësor, prej themelimit të tij si institucion i pavarur, asnjëherë nuk ka qenë në një gjendje më të vështirë në mungesat e buxhetit. Dhe këtë e kemi bërë të ditur me të gjitha institucionet përkatëse të vendit, me partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë. Jemi të vetëdijshëm në gjendjen, dhe unë kam thënë edhe më herët se sikur Këshilli Gjyqësor të ishte një organizatë tjetër, atëherë jemi pranë insolvencës”, tha ai.
Thaqi paralajmëroi se mungesa e buxhetit po e dobëson kapacitetin e KGJK-së për të ushtruar përgjegjësitë e tij dhe mund të cenojë pavarësinë e gjyqësorit.
“Mungesa e theksuar e buxhetit në fakt Këshillin Gjyqësor e bën të pa potencila. Dhe një Këshill për të realizuar funksionin e tij ligjor dhe kushtetues, dhe një Këshill pa fuqi potenciale, të theksuar në mungesat e buxhetit në gjendjen çfarë jemi, duhet thënë krejt hapur cënon pavarësinë e gjyqësorit në veçanti”, tha ai.
Ai tha se refuzimi i kërkesave buxhetore pa arsyetim dhe analizë të mirëfilltë pamundëson funksionimin normal të Këshillit dhe ndikon edhe në administrimin e gjykatave.
“Sido që të rrjedhë kjo çështje, do të adresohet në institucionet përkatëse dhe sigurisht që refuzimi i kërkesave buxhetore pa një justifikim dhe pa një analizë të mirëfilltë, thjesht pamundëson funksionimin e Këshillit në mënyrë normale duke ushtruar detyrat e tij. Po flas në kuptimin e përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, dhe në administrimin e gjykatave në përgjithësi. Pra, kjo mungesë e buxhetit është theksuar qoftë në Këshill në pamundësi të realizimit të objektivave të tij strategjike, por edhe në funksionimin normal të gjykatave”, tha ai,
Ndërkaq, Maliqi bëri të ditur se në KGJK është diskutuar edhe mundësia që çështja e ndërhyrjes së Qeverisë në buxhetin e Këshillit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Një prej diskutimeve që i kemi pasur ka qenë edhe propozimi që ndoshta me iu drejtu edhe Gjykatës Kushtetuese sa i përket të drejtës së Qeverisë me ndërhyrë në buxhetin e Këshillit Gjyqësor. Kështu që, edhe për këtë jemi të gatshëm, edhe me zyrën ligjore, edhe me departamentin për buxhet që të bëjmë një propozim për Këshillin dhe nëse Këshilli pajtohet, ndoshta me shfrytëzu edhe atë mjet juridik”, tha ai, .

