Apeli i liron nga akuza Agim Çekun dhe 9 të tjerët për listat e veteranëve, nuk u provua se kryen veprën penale

by Nexhat

Gjykata e Apelit e Kosovës i ka liruar të enjten ish-kryeministrin dhe ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agim Çeku, së bashku me nëntë të bashkakuzuar, nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në lidhje me listat e veteranëve të luftës. Kolegji penal konstatoi se nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin.

Aktgjykimi APS.nr.52/25 u shpall më 9 shtator 2026 nga Kolegji penal i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Kolegji ishte i përbërë nga gjyqtarët Mentor Bajraktari (kryetar), Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtores profesionale Syzana Goxhuli. Seanca e kolegjit u mbajt më 27 korrik 2026. Numri i lëndës ishte 2019:081832, numri i dokumentit 09389154.

banner

Të liruar plotësisht nga akuza janë: Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Vendimi ndryshon pjesën dënuese të aktgjykimit PKR.nr.241/22 të datës 12 shtator 2025 të Gjykatës Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë. Ajo gjykatë i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me nga një vit burgim secilin prej tyre. Dënimi do të fillonte 15 ditë pasi aktgjykimi të merrte formën e prerë. Secili ishte detyruar të paguante 200 euro paushall gjyqësor dhe 50 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit. Qeveria e Kosovës ishte obliguar të formonte komisione për ri-shqyrtimin administrativ të listës prej rreth 1… aplikuesve.

Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj ishin liruar nga akuza edhe në shkallë të parë. Apeli e vërtetoi atë vendim dhe refuzoi ankesën e Prokurorisë Speciale.

Në pikën I, Apeli aprovoi ankesat e mbrojtësve dhe, sipas detyrës zyrtare, ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë. Të dhjetë të akuzuarit e lartpërmendur u liruan nga akuza sipas nenit 363 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale.

Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si e dëmtuar, u udhëzua të realizojë kërkesën pasurore juridike në kontest të rregullt civil.

Në pikën II, ankesa e Prokurorisë Speciale u refuzua si e pabazuar. Pjesa liruese e aktgjykimit të shkallës së parë u vërtetua. Vendimi mbi dënimin u konsiderua jolëndor për shkak të aktgjykimit lirues.

Të akuzuarit ngarkoheshin se, në intervalin kohor nga 28 tetor 2011 deri më 30 janar 20…, në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, kishin keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Sipas aktakuzës, ata me dashje nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare dhe kishin tejkaluar kompetencat, me qëllim që t’u sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm personave të tjerë në dëm të buxhetit të shtetit.

Prokuroria pretendonte se, pasi Komisioni kishte filluar punën, kishte shpallur thirrje publike dhe kishte përcaktuar kritere, të akuzuarit Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku dhe Rrustem Berisha kishin bërë kategorizimin e aplikuesve në Veteran Luftëtar duke përdorur kritere të tjera nga ato të përcaktuara me ligj.

Më tej, Agim Çeku si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e tjerë u kishin njohur statusin e Veteranit Luftëtar personave që i takonin kategorive të tjera: veteranë pjesëtarë që kishin kryer detyra mbështetëse (politike, logjistike, financiare, mjekësore), veteranë pjesëmarrës që kishin lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës, persona të deklaruar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe të UÇK-së në Maqedoni, si dhe aplikues që në kohën e luftës ishin të mitur.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin qenë të informuar për devijimet dhe parregullsitë nga raportimet e Sekretariatit dhe reagimet në mbledhjet e Komisionit. Ata kishin vazhduar procesin edhe gjatë procedurave të ankesave, duke i lejuar të njëjtët persona që kishin bërë verifikimin fillestar të shqyrtonin ankesat. Para përfundimit të procesit të ankesave dhe para miratimit të listave përfundimtare, kishin filluar shpërndarjen e certifikatave. Kishin injoruar nënshkrimin e faqes së tretë të aplikacioneve dhe në fund kishin aprovuar një numër të përgjithshëm prej ………….. veteranësh luftëtarë, nga të cilët rreth 1… nuk i plotësonin kriteret.

Si pasojë, nga fillimi i vitit 2015 deri në gusht 2018, buxhetit të Republikës së Kosovës i ishte shkaktuar dëm prej rreth 88.769.2… eurosh.

Prokuroria Speciale ankimoi për vërtetim të gabuar e jo të plotë të gjendjes faktike dhe për vendimin mbi sanksionin penal, duke kërkuar që Lushtaku dhe Elezaj të shpallen fajtorë e të dënohen, ndërsa të tjerëve t’u shqiptohet dënim më i lartë.

Mbrojtësit e të dënuarve ushtruan ankesa të gjera:

Avokat Ramë Gashi (për Agim Çekun)

Avokat Eset Berisha (për Sadik Halitjahan)

Avokat Arianit Koci (për Shkumbin Demaliajn)

Avokat Gafurr Elshani (për Qelë Gashin)

Avokat Fadil Jashari (për Shukri Bujën)

Avokate Kadina Bogaj Thaqi (për Ahmet Dakun)

Avokat Artan Çerkini (për Rrustem Berishën)

Avokat Naim Rudari (për Faik Fazliun)

Avokate Elsë Musa (për Fadil Shurdhajn)

Avokat Afrim Salihu (për Xhavit Jasharin)

Ata ngritën shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar e jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimin mbi dënimin. Disa prej tyre ngritën edhe çështjen e parashkrimit absolut të ndjekjes penale, me pretendimin se veprimi i fundit ishte ndërmarrë më 20 maj 2016. Të gjithë kërkuan lirimin nga akuza ose kthimin në rigjykim.

Përgjigje në ankesën e prokurorisë dhanë mbrojtësit e Shkumbin Demaliajt, Nuredin Lushtakut (avokat Tahir Rrecaj) dhe Smajl Elezajt (avokat Nusret Islami), duke kërkuar refuzimin e ankesës së prokurorisë.

Kolegji penal, pasi mbajti seancën, shqyrtoi shkresat e lëndës, vlerësoi pretendimet ankimore dhe analizoi aktgjykimin e ankimuar sipas nenit 394 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, konstatoi se aktgjykimi i ankimuar duhet të ndryshohet.

Të akuzuarit Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u liruan nga akuza, sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje e në vazhdimësi (neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal).

Ankesa e Prokurorisë Speciale lidhur me pjesën liruese u refuzua si e pabazuar. Lidhur me vendimin mbi dënimin, ajo mbeti jolëndore për shkak të aktgjykimit lirues të Apelit.

Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi. Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Në rigjykim, Themelorja më 14 korrik 2025 i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Kurse, ka liruar nga akuza Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkoheshin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy