VV e kryen nënkryetarin PDK’së ia refuzojnë Çitakun, LDK’së përpiqen t’ia “djegin” Shalën – loja e re ‘konstituive’ vazhdon të dielën

by Nexhat

Sot, Lëvizja Vetëvendosje vazhdoi me qasjen e saj në seancën konstituive të Kuvendit duke mos votuar pro Vlora Çitakut, e propozuara e Partisë Demokratike të Kosovës, për nënkryetare të Kuvendit. Këtë qëndrim, partia më e madhe në vend e pati edhe në seancën e para dy ditëve, atë të mërkurës, ku kryetarja e re e parlamentit, Albulena Haxhiu, tha se dy emrat e PDK’së, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, s’e kanë përkrahjen për këto pozita.

Me të dështuar votimi për Çitakun, PDK’ja e lëshoi sallën në shenjë proteste. Kërkesat për qëndrimin e tyre në sallë ishin të menjëhershme nga VV megjithatë të njëjtat u shpërfillen.

banner

Haxhiu, kërkoi nga PDK’ja që të bënte edhe një herë propozimin duke potencuar se PDK’ja e kishte këtë të drejtë. Porse, kjo kërkesë e saj s’u përfillë. Kësisoj, ajo ndërpreu seancën, për të thirrur sërish atë vetëm pak orë më vonë.

Pas orës 14:00, në sallë sërish shkuan VV’ja, LDK’ja, e komunitetet jo shumicë por pa ndonjë rezultat. Haxhiu tentoi që të anashkalonte radhën e PDK’së për të kaluar tek votimi i kandidatit të LDK’së Kujtim Shalës, madje pa përfillur edhe qëndrimin e këtyre të fundit, porse. LDK po ashtu e lëshoi sallën.

Lidhur me këtë situatë, PDK’ja paralajmëroi se do dërgonte lëndë në Gjykatën Kushtetuese, për sqarim të hapave të radhës, dhe, bëri të qartë, se deri në verdiktin e kësaj gjykate ata s’do marrin pjesë në seancë.

Përveç PDK’së, edhe LDK’ja paralajmëroi se mund t’i drejtohen Kushtetueses. Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku, tha se, “Absolutisht, të gjitha këto janë subjekte edhe që kërkojnë interpretime ligjore dhe kushtetuese, absolutisht”.

“Kjo vjen edhe si rezultat i mosgatishmërisë së Vetëvendosjes për të bërë një konsensus në kuptimin e gjetjes së një modaliteti të votimit në pako, edhe si rezultat i imponimit të një votimi të tillë ne erdhëm tek kjo situatë. Kjo në fakt flet shumë për gatishmërinë, për vullnetin politik të vetë grupit më të madh, i cili tenton që grupeve të tjera t’u imponojë kandidatët. Kjo është rezultati përfundimtar. Është një ushtrim shumë i pështirë, shumë elementar i demokracisë, të cilën Vetëvendosja s’mundet me e tejkaluar veten. Por në emër të konstituimit të institucioneve, është dashur që kësaj here të bëjë një tejkalim të vullnetit politik dhe t’u njohë të drejtën grupeve parlamentare për të propozuar të zgjedhurit e tyre”, tha sot ndër tjerash deputetja e LDK-së.

Në anën tjetër, VV’ja, nuk shfaqi shenja se do të ndryshojë qëndrim duke insistuar se ata s’do e votojnë Çitakun. Ishte shefja e GP’së së kësaj partie, Arbërie Nagavci, që theksoi kështu.

“Lëvizja Vetëvendosje do të votojë një kandidat të PDK’së për nënkryetar siç i takon, por s’mund të votojmë zonjën Çitaku”. 

Qasje të njëjtë, Nagavci shfaqi edhe për deputetët e LDK’së.

“Deputetët që janë pro marrëveshjes LVV-LDK, natyrisht që e kanë edhe mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes”, ka thënë Nagavci.

Në anën tjetër, lideri i VV’së, Albin Kurti, tentoi që çështjen e nënkryetarëve të bëjë temë diskutimi me atë të presidentit.

“Më vjen keq që kryetari i PDK-së nuk më është përgjigjur në mesazh për takim, por këtë e ka bërë publikisht duke thënë që s’kemi nevojë për takim. Unë besoj që kemi nevojë për takim. Partisë Demokratike të Kosovës për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e saj i nevojiten votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nevojitet mungesa e bojkotit apo edhe vota kundër e PDK’së, atyre iu nevojitet vota e jonë për, neve na kryen punë edhe vota e tyre kundër. Kjo tregon që ka shumë arsye që të takohemi. Kjo nuk ndodhi. Shpresojmë që të dielën të jetë ndryshe dhe të arrijmë të konstituojmë”, deklaroi sot Kurti.

Seanca e radhës është thirrur për të dielën. Për këtë, tashmë PDK ka konfirmuar që nuk do të marrë pjesë, duke u bërë kështu partia e dytë së bashku me Aleancën e cila tashmë ka refuzuar pjesëmarrjen në seancat konstituive.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy