Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i uroi të gjithë për konstituimin e Kuvendit, pasi kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e mbylli seancën konstituive.
Kurti pasi doli nga Kuvendi tha se mbrëmë kishin “një mbledhje të vështirë” në LVV, për t’u pajtuar që t’i votojnë Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën për nënkryetarë të Kuvendit.
“Mbrëmë kemi pasur një mbledhje të vështirë të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën me shumicë të votave kemi marrur vendim për t’i votuar kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së e LDK-së, përkatësisht zonjën Vlora Çitaku dhe z. Kujtim Shalën”, tha ai.
Kurti tha se “u bë mirë që u konstituua Kuvendi”.
“Nënkryetari i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne menjëherë do ta votojmë. Urime të gjithëve konstituimi i Kuvendit”, tha ai.
Kurti tha se “megjithatë është arritje” që nga tetë muaj vitin e kaluar, “tash e kishim tre muaj” periudhën deri në konstituimin e Kuvendit.
Zyrtarë të partive tjera parlamentare thanë se LVV-ja e zvarriti konstituimin e Kuvendit deri sot, me qëllimin që afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit t’i lejojë që më pas t’i çojë zgjedhjet e reja në fund të dhjetorit, kur mërgimtarët zakonisht vijnë në Kosovë për pushime.

