Kuvendi i Kosovës e rizgjodhi Albin Kurtin kryeministër të dielën, pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e qershorit, por dështimi për ta zgjedhur një president mund ta çojë vendin në zgjedhje të tjera të parakohshme, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Kurti u zgjodh me 62 vota në Kuvendin me 120 vende.
“Ky mandat ka të bëjë me rikthimin e fuqishëm të sigurisë dhe prosperitetit për qytetarët”, tha Kurti para votimit. “Zgjedhjet e përsëritura vetëm sa e kanë penguar të njëjtën qeveri që të qeverisë.”
Në fund të gushtit, Kurti arriti një marrëveshje me opozitën, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka 18 deputetë, për të mbështetur profesorin e së drejtës Bekim Sejdiun si presidentin e ri. Një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta respektonin vendimin e liderit të tyre.
Mbetet e paqartë se kur do të zhvillohet votimi për presidentin. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë një president të ri, Kosova do të duhej të mbante një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme, të katërtat në vetëm dy vjet.
Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por Brukseli ka thënë vazhdimisht se vendi ka nevojë për institucione të qëndrueshme, të afta për të zbatuar reformat e kërkuara për anëtarësim.
Paqëndrueshmëria politike ka vonuar reformat dhe ka ngadalësuar qasjen në fondet e BE-së. Për zgjedhjen e presidentit, i cili kryesisht ka një rol ceremonial, nevojiten dy të tretat e votave.
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca, bojkotuan seancën dhe thanë se do t’i kërkonin Gjykatës Kushtetuese të shqyrtonte nëse ishte shkelur ligji kur u konstituua Kuvendi. As LDK-ja nuk mori pjesë në votimin e qeverisë së re.

