Pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe kërkesës për masë të përkohshme, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë për të marrë vendim.
Në një deklarim për Ekonomia Online, Bugaqku ka sqaruar se afati prej 60 ditësh llogaritet nga dita e parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, për masën e përkohshme, ai tha se vendimi varet nga vlerësimi i gjykatës lidhur me rrethanat, faktet dhe pasojat që mund të shkaktohen.
“Kur kërkesat parashtrohen në përputhje me paragrafin 5 të nenit 113, siç ishte sot që u parashtrua, ku deputetët e deponojnë një çështje në Gjykatë duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur dhe përmbajtjes së vendimit, Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë me dhënë vendimin në fjalë. Pra, afati maksimal është afati prej 60 ditësh nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese”, tha Bugaqku.
Sa i përket masës së përkohshme, ai tha se kjo çështje vlerësohet nga kolegji i Gjykatës Kushtetuese, duke marrë parasysh rrezikun e dëmeve të pariparueshme dhe pasojat që mund të shkaktohen nëse Kuvendi vazhdon punën gjatë shqyrtimit të kërkesës.
“Sa i përket çështjes së masës së përkohshme, ajo është një çështje që vlerësohet nga kolegji i Gjykatës Kushtetuese. Varësisht nga rrethanat, varësisht nga faktet, varësisht nga vlerësimi i dëmeve ose i pasojave që mund të shkaktohen në rast se nuk vendoset masa e përkohshme”, tha ai.
Sipas Bugaqkut, Gjykata duhet të vlerësojë nëse ekziston rrezik që vazhdimi i veprimtarisë së Kuvendit të shkaktojë pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues, interesin publik apo atë institucional të Republikës së Kosovës.
Ai ka theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka rikujtuar qëndrimin e KDI-së se nevojitet qartësi kushtetuese lidhur me pasojat e tejkalimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
“E para, unë nuk dua të paragjykoj vendimin që mund të prodhojë Gjykata Kushtetuese. Por si organizatë, ju e dini që kemi bërë së fundi dy reagime publike, ku kemi theksuar faktin që edhe pse Kuvendi, të themi ashtu, ka shkelur afatin kushtetues […] nevojitet të kemi qartësi kushtetuese”, tha Bugaqku.
Ai tha se kjo qartësi është e rëndësishme për të përcaktuar nëse tejkalimi i afatit 30-ditor prodhon pasoja për mandatet e deputetëve, legjitimitetin e tyre dhe ligjshmërinë e legjislaturës.
Bugaqku ka ngritur si çështje për interpretim kushtetues edhe faktin se Kuvendi u konsiderua i konstituuar pa u zgjedhur nënkryetari që i takon grupit të dytë parlamentar me më së shumti ulëse.
“Dhe po ashtu, tanimë dallojnë këto veprime […] nga dje kur u konsiderua si i konstituuar Parlamenti i Republikës së Kosovës dhe tashmë e kemi një situatë të re, sepse është konsideruar i konstituuar Kuvendi pa e zgjedhur një nënkryetar, i cili i takon këtij grupi të dytë parlamentar”, tha ai.
Sipas tij, edhe kjo çështje mund të kërkojë vlerësim nga Gjykata Kushtetuese, përfshirë edhe mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të hënën i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vendosjen e një mase të përkohshme ndaj Kuvendit të ri, deri në shqyrtimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit.
Kuvendi i Kosovës u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, pozitë që i takon PDK-së. Deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në seancë, duke kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të procesit.
Kërkesa në emër të PDK-së u dorëzua nga deputetët Arian Tahiri dhe Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu.
Pas dorëzimit të kërkesës, Tahiri tha se vendosja e masës së përkohshme është e rëndësishme për të shmangur pasoja juridike dhe institucionale.
PDK-ja pretendon se gjatë procesit të konstituimit është shkelur afati kushtetues prej 30 ditësh, si dhe procedurat për thirrjen e seancave çdo 48 orë deri në konstituimin e Kuvendit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.
Pak orë pas konstituimit, Kuvendi i ri zgjodhi edhe Qeverinë e re, në një seancë të braktisur nga PDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Ndërkaq, Përparim Gruda ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe për mënyrën e formimit të Qeverisë.
“Nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Kuvendi t’i zgjedhë organet qendrore të vendit duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese”, tha Gruda.

