Protestat në Prishtinë, policia ka shoqëruar dy persona: Njëri është ndaluar për 48 orë e tjetri është liruar

by Nexhat

Policia e Kosovës është deklaruar për tubimet dhe protestat e qytetarëve në Prishtinë, duke filluar nga mbrëmë e që janë duke vazhduar akoma dhe që lidhen me shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së.

Sipas policisë, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë, pjesëmarrësit në të gjitha rajonet kanë filluar të shprehin pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme dhe më pas kanë filluar të shpërndahen.

banner

“Një numër i caktuar i pjesëmarrësve nga sheshet e kryeqytetit janë nisur drejt ish objektit të EULEX-it , dhe më pastaj kanë vazhduar drejt bazës së EULEX-it, për të protestuar ndaj aktvendimit të Gjykatës Speciale”, njofton PK.

“Referuar zhvillimeve dhe situatës së krijuar, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme me prezencë të shtuar policore, për parandalimin e incidenteve të mundshme, moslejimin e hyrjes së protestuesve në objekte  dhe vënies në kontroll të situatës”, njofton policia.

“Si rezultat i veprimeve policore dy persona janë shoqëruar në polici, ndaj të cilëve me vendim të prokurorit njërit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Komunikata e plotë e policisë:

Duke filluar nga orët e mbrëmjes së datës 15 shtator 2026, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë dhe në disa qytete tjera, kanë filluar të tubohen qytetarë për të përcjellë zhvillimet që ndërlidhen me shpalljen e aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila është mbajtur sot ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Mijëra qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme kanë filluar të tubohen edhe sot në orët e mëngjesit në sheshet  kryesore të kryeqytetit dhe qyteteve tjera në Republikën e Kosovës.

Policia e Kosovës ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e tubimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e jetës dhe pronës si dhe ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor. Policia ka ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimeve të kalojnë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në tubime të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë, pjesëmarrësit në të gjitha rajonet kanë filluar të shprehin pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme dhe më pas kanë filluar të shpërndahen. Një numër i caktuar i pjesëmarrësve nga sheshet e kryeqytetit janë nisur drejt ish objektit të EULEX-it , dhe më pastaj kanë vazhduar drejt bazës së EULEX-it, për të protestuar ndaj aktvendimit të Gjykatës Speciale.

Pas arritjes pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, pjesëmarrësit kanë tentuar me forcë të depërtojnë brenda hyrjes së rrethojave të EULEX-it. Numri i pjesëmarrësve pranë objektit të EULEX-it dhe përreth tij, ka vazhduar të rritej pasi nga disa zona të ndryshme të Kosovës kanë ardhur me mjetet e tyre transportuese, duke bllokuar përkohësisht edhe qarkullimin e trafikut në drejtim të rrugës Fushë Kosovë – Prishtinë.

Protestuesit kanë qëndruar për disa orë pranë objektit dhe hapësirave përreth bazës së EULEX-it, dhe kohë pas kohe kanë hedhur gjësende të ndryshme e mjetet të forta ndaj rrethojave dhe objektit të EULEX-it si dhe kanë tentuar të kalojnë kordonin policor. Pas përfundimit të protestimit pran objektit të EULEX-it, një numër i caktuar i protestuesve kanë vazhduar në drejtim të shesheve të kryeqytetit, për tu vendosur pranë objekteve të institucioneve të RKS-së, konkretisht pranë Qeverisë.

Protesta ka vazhduar pranë objektit të Qeverisë, të cilët fillimisht kanë qenë të qetë, por kohë pas kohe kanë tentuar të kalojnë rrethojën dhe kordonin policor, si dhe të hedhin mjete të ndryshme të forta drejt objektit të Qeverisë. Brenda turmës së protestuesve ka pasur individë me maska të cilët në vazhdimësi kanë hedhur gurë, ku edhe vet persona brenda turmës kanë reaguar ndaj këtyre personave.

Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për vet pjesëmarrësit si dhe mbrojtjes së jetës e pronës,  sipas detyrës zyrtare në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos tentojnë dëmtimin apo futjen brenda rrethojave të objekteve.

Referuar zhvillimeve dhe situatës së krijuar, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme me prezencë të shtuar policore, për parandalimin e incidenteve të mundshme, moslejimin e hyrjes së protestuesve në objekte  dhe vënies në kontroll të situatës. Si rezultat i veprimeve policore dy persona janë shoqëruar në polici, ndaj të cilëve me vendim të prokurorit njërit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë dhe rrugën Bill Klinton, është detyruar që ta ndërpresë përkohësisht dhe ta riorientoj qarkullimin e trafikut në rrugë alternative.

Policia e Kosovës vazhdon të iu bëjë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve të cilët ende po vazhdojnë të jenë në tubim, që të shprehin pakënaqësitë e tyre në mënyrë të qetë, të  respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt.

Zyrtarët policorë kanë qenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend, dhe se siguria e qytetarëve, ruajtja  e rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend mbesin prioritet i Policisë së Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy