Partia Demokratike e Kosovës, përmes Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të dorëzuar sot në Kuvend, ndër të tjera, synon dy ndryshime kryesore në mënyrën e funksionimit të këtij mekanizmi gjyqësor.
Ndryshimi i parë ka të bëjë me shkallën supreme: synimi është që ajo të ushtrojë funksionin e saj në Kosovë dhe jo në Hagë, ku aktualisht funksionojnë Dhomat e Specializuara, përfshirë panelet e Gjykatës Supreme.
Ndryshimi i dytë kryesor është krijimi i një mekanizmi për mbikëqyrje ndërkombëtare të procesit, me qëllim që funksionimi i Dhomave të Specializuara t’i nënshtrohet një forme më të qartë dhe të përcaktuar të kontrollit dhe mbikëqyrjes.
PDK e dorëzoi projektligjin të hënën, më 21 shtator, në Kuvendin e Kosovës. Nisma vjen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilin PDK e ka kundërshtuar publikisht.
Pikërisht rikthimi i shkallës supreme në Kosovë dhe vendosja e mbikëqyrjes ndërkombëtare përbëjnë dy prej ndërhyrjeve kryesore që PDK synon t’i realizojë përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

