Dy kryeministrat flasin nga SHBA-ja: Kurti kërkon korrigjimin e verdiktit të Speciales, Rama shpreh mbështetje për Kosovën

by Nexhat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë reaguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Kurti, i cili po qëndron në SHBA, ka thënë se aktgjykimi duhet të kundërshtohet në shkallën e Apelit, duke e cilësuar atë si të bazuar, sipas tij, në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore.

banner

“Gjetjet e mbetura, megjithatë, u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar gjithashtu se aktgjykimi nuk duhet të barazohet me vlerësimin e luftës së UÇK-së.

“Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata. Pretendimi për ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës. Ra pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë”, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për transparencën e Gjykatës Speciale dhe dënimet e shqiptuara.

Ndërkaq, nga SHBA-ja ka folur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Michigan ka deklaruar se Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës.

“Shqipëria s’mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por ata duhet të vendosin të bëjmë gjithçka për ta zhbërë atë vendim kundër atyre katër burrave”, ka thënë Rama.

Aktgjykimi i shkallës së parë, i shpallur më 16 shtator, i dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet. Katër ish-krerët u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy