Bordi i Paqes propozon plan 2.45 miliardë dollarësh për rindërtimin e Gazës

by Nexhat

Bordi i Paqes, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ka propozuar një plan gjashtëmujor në vlerë prej 2.45 miliardë dollarësh për nisjen e rindërtimit të Gazës dhe rikthimin e shërbimeve bazë, raporton The National.

Plani, i prezantuar në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfshin 66 projekte dhe synon të mbështesë planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës Izrael-Hamas.

banner

Sipas The National, projektet përfshijnë nisma në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi, ndërsa faza e parë synon të adresojë nevojat më urgjente të Gazës dhe të krijojë bazën për rindërtimin afatgjatë.

Bordi ka vlerësuar se rindërtimi i infrastrukturës fizike në Gazë do të kushtojë rreth 35.2 miliardë dollarë në periudhën afatmesme dhe 71.4 miliardë dollarë të tjerë gjatë dekadës së ardhshme.

Anëtari i bordit ekzekutiv, Jared Kushner, tha se synimi është që palestinezëve në Gazë t’u krijohet mundësia të përqendrohen në përmirësimin e jetës së tyre.

“Po ndërtojmë diçka që në të vërtetë është një platformë për t’i mundësuar popullit palestinez në Gazë që më në fund të përqendrohet në përmirësimin e jetesës dhe të jetës së tij”, tha Kushner.

Ai tha se synimi përfundimtar është një Gazë e çmilitarizuar dhe shtoi se Hamas ka rënë dakord t’i dorëzojë armët, por se kjo duhet të zbatohet.

Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, tha se sfida e radhës është kalimi nga planifikimi në zbatim.

“Qëllimi ynë është të kalojmë në fazën tjetër, pra nga planifikimi në zbatim”, tha Mladenov.

Ndërkaq, Ali Shaath, komisioner kryesor i Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, tha se rindërtimi pritet të përfshijë të gjithë Rripin e Gazës dhe të nisë nga Rafah, për të vazhduar më pas në Khan Younis, kampet qendrore, qytetin e Gazës dhe veriun e Gazës.

Shaath tha se synimi është rikthimi i shërbimeve bazë dhe që palestinezëve t’u jepet mundësia ta formësojnë të ardhmen e tyre, duke kundërshtuar zhvendosjen e tyre nga Gaza.

“Ne jemi kundër evakuimit të banorëve të Gazës jashtë Gazës. Duam që ata të qëndrojnë dhe të jetojnë në Gazë, me shpresë dhe prosperitet”, tha ai

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy